Lajmet e fundit

Gjiri i Vlorës vizitohet për herë të dytë brenda pak muajsh nga delfinët. Një delfin është fotografuar nga mediat lokale pranë gjirit detar të Vlorës. Specia e pazakontë për mjedisin detar të këtij gjiri u shfaq mesditën e sotme.
Megjithatë, prania e delfinëve nuk është ngjarje e paprecedent në ujërat detare të bregdetit shqiptar të jugut. Më 25 qershor të këtij viti dy delfinë u shfaqën në afërsi të bregdetit të Radhimës. Ndërsa në muajin maj të vitit 2002, në bregdetin e Himarës, në zonën e emërtuar Plazhi i Llamanit, deti nxori një delfin të vogël, i cili kishte ngordhur pas përplasjes me një mjet lundrues.
Ndërkohë, prania e specieve të tjera të rralla, ajo e peshkaqenëve, ka qenë një dukuri paksa më e shpeshtë.
Ka dy arsye përse delfinët vizitojnë bregdetin. E para lidhet me ndryshimin e klimës dhe për rrjedhojë ndryshimin e rrymave detare, si shkak i ngrohjes globale dhe e dyta lidhet me kërkimin e ushqimit pranë bregut të detit./Shekulli
