Sipas delegacionit të vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), votuesit e Kosovës demonstruan përkushtimin e tyre ndaj demokracisë duke votuar në mënyrë paqësore dhe pa tensione gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 për Kuvendin e Kosovës, njofton Klankosova.tv
“Këto zgjedhje paraqitën një peizazh politik pluralist dhe dinamik me 28 lista konkurruese që përfaqësonin komunitetet shumicë dhe joshumicë. Për më tepër, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës, të cilëve iu ofrua një gamë e gjerë opsionesh politike, kontribuoi në një proces zgjedhor më gjithëpërfshirës”, shkruhej në komunikatën e PACE.
Megjithatë, u përmenden edhe disa nga sfidat nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën në Kosovë. Publikimi online i vonuar i rezultateve preliminare është parë si mangësi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përgjithësi ka punuar mirë. Ajo duhej të përballej me sfidat e minutës së fundit që lindin nga prokurimet publike (për shembull, problemet me transportin e materialeve zgjedhore jashtë vendit ose çështjet e cilësisë me bojën e pashlyeshme). Vendimi i minutës së fundit për të lejuar përdorimin e dokumenteve të identifikimit të Kosovës të skaduara shkaktoi një konfuzion. Trajnimi i administratës zgjedhore, i cili ndonjëherë u perceptua si i vonuar dhe i pamjaftueshëm, edukimi i votuesve dhe shfaqja e informacionit zgjedhor në qendrat e votimit mund të përmirësohej. Si mangësi u pa edhe publikimi i vonuar online i rezultateve paraprake”.
Ndryshe, delegacioni prej 24 anëtarësh i APKE-së, i udhëhequr nga Petra Bayr dhe i përbërë nga 18 deputetë, përfaqësues të Komisionit të Venecias dhe stafi, vëzhgoi zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nga 7 deri më 10 shkurt.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën të dielën, më 9 shkurt.
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.