Lajmet e fundit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka vizituar Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës.
Ambasadori Delawie gjatë vizitës së tij ishte i shoqëruar edhe nga zyrtari politik i kësaj ambasade Scott Lang, njofton Klan Kosova.
Në selinë e KPUK-ut Ambasadori Delawie u prit nga Kryetari Pastor Driton Krasniqi me anëtarët e Këshillit të Shërbestarëve.
Greg Delawie u interesua për fushëveprimin, angazhimin e Komunitetit Protestant në shoqërinë kosovare dhe marrëdhëniet mes KPUK-ut me shtetin dhe rolin e saj në vend.
Me këtë rast Ambasadori Delawie u njoftua me traditën 200 vjeçare të kishës protestante ndër shqiptarë duke përmendur me theks të veçantë angazhimin e pastorëve vendorë dhe misionarëve amerikanë në thirrjen dhe organizimin e Kongresit të Manastirit dhe hapjen e shkollave shqipe dikur dhe sot.
Njëkohësisht, Kryetari Driton Krasniqi nga ana e tij nënvizoi pengesat që komuniteti protestant ndesh në mosmarrjen e lejeve të ndërtimit për objektet kishtare si dhe shprehu shqetësimin e tij për mospërfilljen që po hasim nga komunat për ndarjen e parcelave për varreza të Kishës Protestante, njofton Klan Kosova.