Lajmet e fundit

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shtuar në lista emrat 87 avokatëve të tjerë, krahas mbrojtësve që ishin pranuar më parë, të cilët vijnë nga Kosova, Serbia dhe një numër vendesh të tjera.
"Regjistrimi në këto lista bën që këta avokatë të kenë mundësinë të zgjidhen për t’u paraqitur para DHSK-së për të përfaqësuar të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash, apo çdo person tjetër që ka të drejtën e përfaqësimit ligjor në bazë të Ligjit për krijimin e DHSK-së dhe të Direktivës për Mbrojtësit. Mbrojtësit mund të zgjedhin nëse duan që emrat e tyre të përmenden në faqen e internetit të DHSK-së.Ky është raundi i dytë i njoftimeve, pas listave të shpallura më 14 mars 2017. Listat publike të mbrojtësve mund të shihen në tabelën që gjendet në faqen e internetit të DHSK-së"
Kryetarja e DHSK-së, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, ka përgëzuar të gjithë kandidatët dhe
kandidatet, duke theksuar se kriteret e rrepta për pranim në këto lista janë garanci që të pandehurit dhe viktimat do të kenë mundësinë të përfaqësohen në mënyrë profesionale dhe efektive para DHSK-së, çka do të kontribuojë më tej për forcimin e integritetit të administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara.
Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave janë duke vazhduar procesin e pranimit të mbrojtjes dhe listat e avokatëve do të përditësohen vazhdimisht.