Lajmet e fundit

Sot shënohet 32 vjetori i miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.
Më 2 korrik, 1990, 114 delegatë miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për pavarësi shtetërore e territoriale nga Serbia.
Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik - Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, e me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.
Serbia, fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri tek të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut shënoi pikënisjen e shtetësisë së Kosovës.
Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese