Lajmet e fundit

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka lëshuar një deklaratë ku njofton më në detaje për arsyet e arrestimit dhe të mbajtjes në burg të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, njofton Klan Kosova.
Autoritetet franceze kanë njoftuar edhe se kanë pasur në vazhdimësi bisedime me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Deklarata e MPJ-së së Francës:
Ramush Haradinaj është arrestuar më 4 janar 2017 në Aeroportin e Bâle-Mulhouse, mbi bazën e një kërkese të arrestimit të përkohshëm të shpërndarë nga Interpoli dhe ekzekutimi i të cilës është automatik, konform angazhimeve ndërkombëtare të Francës.
Autoritetet e drejtësisë franceze janë duke u marrë me dhe duke e shqyrtuar, në pavarësi të plotë, situatën me kujdesin më të madh. Procedura në vijim i përket autoriteteve të drejtësisë.Ramush Haradinaj e gëzon mbrojtjen konsullore dhe ka pasur mundësi të takohet me konsullin e Kosovës.
Ministria e punëve të jashtme dhe e zhvillimit ndërkombëtar është në kontakt me autoritetet kosovare dhe e ndjek këtë dosje me vëmendjen e vet më të madhe. Z. Jean-Marc Ayrault ka biseduar me homologun e tij të Kosovës z. Enver Hoxaj, në lidhje me këtë temë.
Franca, e cila ishte një prej vendeve të para që e njohu Kosovën në 2008, gëzon me këtë shtet marrëdhënie të afërta dhe miqësore. Veprimi që zhvillohet drejt z. Ramush Haradinaj i takon procedurave të drejtësisë të iniciuara nga kërkesa e Interpolit. Ai nuk ka asnjë dimension politik dhe nuk e modifikon politikën konstante të Francës dhe mbështetjen e saj për pajtim në regjion dhe zbatimit e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Franca i jep rëndësinë më të madhe vazhdimit të njërës dhe tjetrës.