Lajmet e fundit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka komentuar mbi meritat që sipas tij pushtetarët po ia adresojnë vetvetes për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Ai ka shtuar se meritat i ka një zyrë tjetër institucionale e jo Qeveria.
“Pasi filloi beteja për përvetësimin e meritave për MSA, një përkujtim: prej prillit deri në dhjetor 2011 ishte një Zyrë tjetër institucionale - jo Qeveria - që kërkoi me ngulm, zyrtarisht prej BE-së dhe shteteve anëtare të BE-së dhe nga SHBA që Kosova të kishte marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Në atë kohë Thaçi kërkonte liberalizim të vizave, dhe nuk mund të dilte nga Kosova. Në atë kohë Mustafa thoshte se dialogu me Serbinë për punë të brendshme të Kosovës ishte i dëmshëm.”
“Pikërisht në shtator 2011, gjatë vizitës në Bruksel, Komisionerët e atëhershëm për Zgjerim dhe Politikë të përbashkët të Jashtme e të Sigurisë ndëgjuan kërkesën dhe elaborimin e thuktë për nevojën që Kosova dhe BE-ja të lidhnin marrëdhënie kontraktuale, “ ka shkruar Deda në Facebook, njofton Klan Kosova.
Ai më tej ka falënderuar ekipin e presidentes Jahjaga dhe vetë presidenten për shtyrjen e kësaj agjende.
“Me këtë rast një falënderim të veçantë për Venera Hajrullahun, Qëndrim Gashin, Ilir Salihun, Arbër Vllahiun dhe Ramush Tahirin, ekipin e atëhershëm te Presidentja Jahjaga. Falemnderim edhe Presidentes, që pandalur e shtyu këtë agjendë përpara.”
“MSA-ja në fund është meritë e gjithë Kosovës. E dokumenti ka mundur të jetë edhe më i mirë, nëse disa në pushtet do të ishin fokusuar më shumë për interes të shtetit se sa kryekëput për interesa të tyre, ka përfunduar Deda në Facebook, njofton Klan Kosova.