Ilir Deda, deputet i pavarur dhe Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës, tash e një kohë kanë paralajmëruar se do të dalin me një platformë të re politike, por deputeti Deda ka thënë se shfaqjen në publik do ta bëjnë kur të jetë e përshtatshme, duke mos saktësuar datë.
“Do të dalim në publik në atë moment, të cilin ne e konsiderojmë se është më i përshtatshëm për ne”, ka thënë Deda në një intervistë për Radio Europa e Lirë.
Megjithatë ai ka treguar se emri i përfolur edhe më parë “Alternativa”, do të jetë emërimi zyrtar i subjektit të ri politik.
“Kur e kam lëshuar Lëvizjen Vetëvendosje, pata thënë se do të angazhohem në krijimin e një subjekti të ri politik, i cili do të nënkupton ri-rreshtim të njerëzve të politike dhe të atyre që nuk kanë qenë në politikë, me të cilët e ndajmë vizionin e njëjtë për shtet-ndërtim. Subjekti është në proces të themelimit. Emri është Alternativa. Tash jemi në fazën e krijimit të këshillave iniciues në nivel komunal”, ka thënë Deda.
Ai nuk ka folur as për orientimin ideologjik të partisë duke thënë se gjithçka do të bëhet e ditur kur t’i bëjnë prezantimin publik “Alternativës”.
“Kjo do të definohet e gjitha në konventën kur do të prezantohet Alternativa. Është pjesë e konsultimit dhe vendimmarrja do të jetë e përbashkët. Nuk do të jetë qëndrim i imi apo i Mimoza Kusarit, apo dikujt tjetër. Do të jetë vendim i përbashkët”.
Intervistën e plotë të Ilir Dedës mund ta lexoni në Radio Europa e Lirë.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.