Lajmet e fundit
Përfaqësuesja e Kosovës, pas një rruge të gjatë me plot sfida e të papritura, të enjten do të luajë ndeshjen e parë garuese si vendas, në Shqipëri

Shkallët e stadiumit Rexhep Rexhepi nuk janë të ndërtuar për komfor. Në fakt, ato nuk janë të ndërtuara fare.
Por qindra njerëz qëndrojnë në bazën prej betoni, duke pritur daljen në fushë të përfaqësueses së Kosovës, transmeton Klan Kosova.
Para tyre arrijnë zyrtarë të lartë të shtetit, të prirë nga kryeministri Isa Mustafa. Pasi skuadra zbret nga autobusi, ai u dëshiron sukses, ndërsa pranon një fanellë në shenjë nderimi.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u premton lojtarëve nga 100 mijë euro, nëse arrijnë të kuaifikohen për Botërorin Rusia 2018.
Mund të duket shumë bujë për një stërvitje, por kjo zhvillohet para paraqitjes së parë si vendase në ndonjë ndeshje zyrtare: të enjten, kundër Kroacisë në kualifikimet për Kupën e Botës.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, nuk i shpëton kthimit prapa në ditët kur ai luante futboll, duke goditur topin nga anash fushës me këpucët e tij prej zyrtari. Ndërsa më pas pranon se e ka të vështirë që ta përmbajë veten.
"Jam shumë i lumtur. Gjashtëmbëdhjetë mijë bileta u shitën brenda dy apo tre orësh. Mund ta merrni me mend sa të ngazëllyer janë të gjithë".
Pak muaj më parë, garimi i Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës mund të dukej i pamundur. Pavarësia e shpallur njëanshëm mbetet e papranuar ende nga mbi 80 vende të Kombeve të Bashkuara.
Pastaj, në maj, së pari UEFA dhe më pas FIFA e pranuan Kosovën si anëtare, duke i hapur dyert për garat ndërkombëtare.
Ky vendim u përcoll me lejimin e futbollistëve që kanë luajtur për përfaqësuese tjera të kthehen dhe të mbrojnë ngjyrat e anëtarës së re.
"Kam kaluar mirë në përfaqësuesen U21 të Zvicrës", thotë Hekuran Kryeziu që luan për Luzernin.
"Por më pastaj më thirri trajneri i përfaqësueses së Kosovës dhe doja ta provoja këtë gjë. Prindërit e mi janë nga Kosova dhe jam krenar që mbroj ngjyrat e saj".
Gjendja jo e mirë e stadiumeve në Kosovë do të thotë që ndeshjen e parë si vendase kjo përfaqësuese do ta luajë në Shkodër, në Shqipëri. /klankosova.tv