Lajmet e fundit

Debati i katërt mes kandidatëve demokratë për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i fundit, para se shtetet e para të shkojnë në zgjedhje, Iowa dhe New Hampshire, ka përplasur ashpër dy kryesuesit e garës.
Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, debatin më të ashpër e kanë zhvilluar në çështjen e kontrollit të armëve dhe sistemeve të sigurimeve shëndetësore.
Clinton e ka sulmuar Sanders duke ia përmendur votat e tij në të kaluarën dhe të qenit më konservator sa u përket qëndrimeve të tija të dikurshme në kontrollin e armëve. Kurse sa i përket sistemit shëndetësor të Sanders, i cili ka thënë se nëse arrin të zgjidhet President, do të mundësojë një sistem shëndetësor falas për të gjithë, Clinton është shprehur skeptike dhe ka pohuar se nuk do të ishte i realizueshëm e do të rrezikonte edhe legjislacionin aktual të Presidentit Obama.
Në anën tjetër Sanders nuk ka lënë pa ia përmendur Clintonit afërsinë e saj me Wall Street-in, të pasurit dhe bankat e mëdha në Amerikë. Sander e Clinton janë treguar të ndryshëm dhe me dallime edhe në çështje si politika e jashtme dhe rruga që duhet të ndjekin SHBA-të në krizën e Lindjes së Mesme, ndërsa për disa tema të tjera të rëndësishme, siç është emigracioni ata nuk kanë folur fare.
Pos tyre në debat ishte edhe kandidati tjetër nga radhët e demokratëve Martin O’Malley, por që ai përsëri nuk ka arritur të ketë një impakt në debat dhe numrat e tij të vegjël në sondazhet parapake e kanë lënë krejt inferiorë karshi dy kandidatëve kryesorë.
Debati është realizuar nga rrjeti televiziv NBC dhe është zhvilluar në Karolinën Jugore.
Sipas analistëve në Amerikë, Clinton si asnjëherë tjetër e ka sulmuar Sanders, sepse, siç tregojnë sondazhet e fundit, diferenca mes tyre tashmë është zvogëluar tej mase dhe senatori është shndërruar në kërcënim serioz për t’ia marrë kandidimin ish-sekretares, e cila në fillim të kampanjës dukej se do të fitonte sigurt.
Sanders, i cili e quan vetën një socialist, ka thënë se dëshiron të bëjë revolucion në politikën amerikane dhe se përkushtimi i tij më i madh do të jetë në uljen e pabarazisë mes shtresës së pasur dhe pjesës tjetër të popullit amerikan.
Ndërsa Clinton ka deklaruar se programi i saj si Presidente do të ishte rritja e të ardhurave për çdo familje dhe zvogëlimi i papunësisë. Ajo ka thënë se nëse arrin të bëhet e para e SHBA-ve një rol të rëndësishëm në kabinetin e saj do ta kishte edhe bashkëshorti i saj, ish-Presidentin Bill Clinton.
Zgjedhjet e para do të mbahen në shtetin e Iowa-s me 1 shkurt.