Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë debatuar ashpër sot gjatë një Paneli bisedues të organizuar online në kuadër të Samitit të Sigurisë së Beogradit.
Në ngjarjen e mbajtur virtualisht, Hoti foli për Marrëveshjen finale që e do Prishtina zyrtare me Serbinë , që sipas tij duhet të shpie te normalizimi i plotë i raporteve mes dy vendeve, njofton Klan Kosova.
Por përmendja e dy vendeve acaroi Vuçiqin, i cili tha se në dialog duhet zgjidhje kompromisi dhe se nuk bëhet fjalë për dy vende por vetëm për një e që sipas tij është Serbia.
Në debatin ''Pa besim, s'ka paqe'', foli dhe emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që ftoi palët të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje të vështirë.
Nga ana e tij zyrtari amerikan, Rian Tully u ndal te nënshkrimi i zotimeve mes dy palëve në Shtëpinë e Bardhë që u bë me 4 shtator, e që siç thotë ai do sjellë normalizimin ekonomik Prishtinë-Beograd.