Lajmet e fundit

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi , Michael Davenport ka thënë se zgjerimi mbetet një nga prioritetet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se BE-ja vetëm pak ditë pas vendimit të Bregzit ka miratuar një strategji të re globale për politikën e jashtme dhe të sigurisë, ku theksohet rëndësia e zgjerimit të bllokut, veçanërisht duke iu referuar Ballkanit Perëndimor.
Davenport tha në një intervistë për gazetën serbe NIN se kryeministri serb Aleksandar Vuçiq mbështet fuqishëm integrimin evropian të Serbisë dhe me të bisedon në lidhje me të gjitha aspektet e marrëdhënieve midis Serbisë dhe BE-së, si dhe gjendjen e mediave.
"Por unë nuk dua të ankohem, kur tabloidet shkruajnë gënjeshtra për mua ", ka thënë Davenport.
I pyetur se pse është e rëndësishme për qytetarët serb hapja e kapitujve 23 dhe 24 Davenport thotë se plani për kapitullin 23 përfshin masat për krijimin e një gjyqësori të pavarur, efektiv, për funksionimin më të mirë të organeve të pavarura rregullatore për mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve dhe media të lira, transmeton Klan Kosova.