Deputeti nga Partia Social Demokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pasi që kryeparlamentari, Kadri Veseli, ka thënë se thirrja e seancës së jashtëzakonshme është në dëm të Kosovës.
Sipas tij, qeverisja e PDK-së, herë në krye me Thaçin e herë me Veselin janë dëmtuesit më të mëdhenj të vendit Kosovës, njofton Klan Kosova.
Molliqaj ka akuzuar krerët e partisë në pushtet se kanë shkatërruar ekonominë e Kosovës duke privatizuar dhe falur shumicën e ndërmarrjeve shoqërore e publike.
“Shkatërruan ekonominë tonë duke privatizuar (falur) shumicën e ndërmarrjeve shoqërore e publike; Punësuan miq, kunata e militantë partiak nëpër të gjitha institucionet shtetërore; I mbytën bizneset vendore dhe investimet potenciale të huaja dhe vendore duke iu kërkuar haraç dhe duke mos i mbështetur ato; Përkundër dëshmive të publikuara në aferën Pronto, asnjë politikan nuk u arrestua apo gjykua për krim e korrupsion; Shkatërruan shëndetësinë publike, ndërsa vet mjekohen në spitale evropiane; Shkatërruan sistemin e edukimit publik, e në të njëjtën kohë fëmijët e tyre i dërgojnë në shkolla të shtrenjta private, etj” ka shkruar Molliqaj në llogarinë e tij të Facebook-ut.
“Pra, dëm për Kosovën nuk është thirrja e seancës e cila ia pamundëson Thaçit vazhdimin e negociatave për falje të territorit të Kosovës. DËM për Kosovën është çdo ditë e PDK-së në qeverisje. Prandaj, nuk do të ndalemi që qeverisja e tyre të marrë fund sa më shpejt” ka shtuar ai.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
AB
SHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.