Lajmet e fundit

Shërbimi hekurudhor midis Gjermanisë dhe Danimarkës është bllokuar, pas ndalimit nga policia të qindra emigrantëve që kishin mbërritur në kufi me tren. Kompania daneze e trenave, “DSB” njoftoi se, rreth 100 emigrantë që mbërritën nga Gjermania ditën e mërkurë, kanë refuzuar të zbresin nga treni në qytetin danez të Roedby, pasi nuk duan të regjistrohen në Damimarkë.
Zëdhënësja e policisë, Anne Soe tha se ata nuk duan të regjistrohen në Danimarkë. "Po bisedojmë me ta dhe po përpiqemi t'i bindim që të dalin. Gjërat po shkojnë mirë dhe janë të qeta. Por sigurisht, disa prej tyre janë të tensionuar", tha ajo. Policia daneze, po ashtu, mbylli një autostradë në gadishullin Jutland, pasi rreth 300 emigrantë që kishin kaluar kufirin nga Gjermania u larguan nga nj shkollë, ku po strehoheshin dhe nisën rrugën drejt veriut.
Sipas ligjeve euorpiane, njerëzit që kërkojnë azil në BE, duhet ta bëjnë aplikimin në vendin e parë ku shkelin brenda BE-së dhe nuk duhet të udhëtojnë nga njëri vend në tjetrin. Shumë prej emigrantëve duan të shkojnë në Suedi, Norvegji ose Finlandë, pasi ata kanë të afërmit e tyre atje, ose besojnë se kushtet janë më të mira për azil në këto vende.
Zyrtarët danezë, duke parë kërkesat e shumta të emigrantëve për të mos qëndruar në Danimarkë, kërkuan rregullat e BE-së të rishikohen, për t'i lejuar ata që të shkojnë në Suedi. Por pala suedeze tha për AP se në asnjë mënyrë, rregullat e BE-së nuk mund të shkelen. Emigrantët dhe refugjatëtë që hyjnë në BE kanë të drejtën të aplikojnë për azil në bllok, por ata nuk kanë të drejtë të zgjedhin se në cilin vend mund të aplikojnë për azil.