Kryetarja e Këshillit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë se e ka pritur vendimin e Këshillit Gjyqësor për pezullimin e dekretimit të Kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Pecit, pas kërkesës nga ana e saj, njofton Klan Kosova.
Madje, ajo thotë se për këtë arsye edhe e ka bërë kërkesën duke qenë e bindur se ka pasur të drejtë, gjë që e kishte vërtetuar, sipas saj, edhe gjykata kushtetuese.
“E kam konsideruar se më është shkelur një e drejtë”, tha Daka në Ballë për Ballë të Orës së Fundit në Klan Kosova.
Pas këtij hapi, ajo thotë se çështja nuk është kthyer në pikën zero porse është kthyer në votim, pasi që gjykata kushtetuese e ka konsideruar se votimi nuk është bërë në frymën kushtetuese, i është shkelur e drejta dhe se nuk është respektuar meritokracia.
Daka tregon se në konkursin e mbajtur, komisioni i themeluar nga Këshilli Gjyqësor prej tre anëtarësh, i ka vlerësuar të gjithë kandidatët, dhe në bazë të vlerësimit ajo ka qenë e para.
Megjithatë, për rastin e votimit, Këshilli Gjyqësor, e kishte anashkaluar së pari atë dhe kandidatin që kishte dalë i dyti, dhe se ishin ndalur te kandidati i tretë.
Ajo kishte pretenduar se i ishte shkelur e drejta pasi që kishte qenë e para dhe më e vlerësuara.
“Jam anashkaluar pa asnjë lloj arsyetimi”, tha ajo.
Ajo thotë se edhe abstenimet janë numëruar si vota ndonëse abstenimet janë tërheqje nga votimi.
“Në këtë rast, po të mos ishin numëruar ato vota me siguri do të dilja e para”.
Sidoqoftë, Daka u shpreh optimiste se gjithçka do të qartësohet sa i përket votimeve për postin e kryetarit të Gjykatës Supreme.
klankosova.tv