Lajmet e fundit

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se kërcënimet e Kroacisë, se do ta bllokojë hapjen e kapitujve të ri të integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian, janë të pakuptimta.
Në një intervistë për Radio Beogradin, Daçiq ka thënë se disa vjet më parë Kroacia e kishte shprehur qëndrimin e saj përmes një dokumenti të miratuar në Parlament, që thotë se marrëdhëniet bilaterale të Zagrebit me Beogradin, nuk do ta pengojnë Integrimin e Serbisë në BE.
Daçiq ka thënë se çështja e raportit me Serinë është përdorur në Kroaci nga qeveritarët si një mekanizëm i lehtë për të grumbulluar pikë në betejën e brendshme politike dhe se mesazhe të tilla nga Kroacia, nuk i kontribuojnë ndërtimit të një të ardhme të mirë fqinjësore.
Në të kundërtën ka thënë ai, këto mesazhe vetëm sa e komplikojnë situatën.
“Ne duam që problemet t’i zgjidhim përmes dialogut dhe nuk pranojmë shantazhimet e kroatëve”, ka thënë ai.