Lajmet e fundit
Numri dy i qeverisë në Beograd ka përsëritur se ndarja është zgjidhja më e mirë dhe më fer. Sipas tij, Serbia duhet ta marrë pjesën në veri të Ibrit, e Kosovës t'i mbetet pjesa në jug të këtij lumi.

Zëvendëskryeministri i Serbisë Ivica Daciq e ka quajtur, të vonuar planin e presidentit Tomislav Nikoliq për Kosovën.
Platforma e shefit të shtetit në Beograd, të cilën ministri i jashtëm e pranon se nuk e ka lexuar, parasheh një autonomi për Kosovën brenda Serbisë, si ajo e vitit 1974, për çfarë Daciq thotë se zor që do të pranohet nga Prishtina.
"Shqiptarët nuk do ta pranojnë atë dhe as serbët nuk do ta pranojnë pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme", ka thënë ai për "Vecernje Novosti", transmeton Klan Kosova.
"Tash për tash ndodhemi në një situatë që varemi nga ajo nëse Rusia ose Kina do të vendosin veto (për pranimin e Kosovës në OKB)".
Numri dy i qeverisë së Serbisë ka thënë se shteti i tij nuk do të sfidohet me kërkesën e BE-së për ta pranuar Kosovën, pasi as vetë Unioni nuk është unik në këtë çështje. Por, Vuciq ka treguar se megjithatë, ka diçka tjetër që lypet nga Beogradi.
"Për momentin, askush në Bruksel nuk e di se çfarë do të përmbajë marrëveshja, por është e vërtetë se neve na është kërkuar ta nënshkruajmë me Prishtinën një marrëveshje e cila ligjërisht është obligative", ka thënë ai.
Daciq ka përsëritur se ndarja është zgjidhja më e mirë dhe më fer. Sipas tij, Serbia duhet ta marrë pjesën në veri të Ibrit, e Kosovës t'i mbetet pjesa në jug të këtij lumi.
Ministri i Jashtëm ka deklaruar se në politikën e brendshme, qëndron më afër shefit të tij në qeveri, Aleksandar Vuciq sesa presidentit të shtetit, Tomislav Nikoliq.