Lajmet e fundit

Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku ka thënë se pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me Bashkimin Europian dhe implementimit të saj që fillon sot, ka hënë se qeveria e ka prioritet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në profilin e tij në Facebook, ai i uron kosovarët për hyrjen në fuqi të MSA-së dhe thotë se ky është hap shumë i rëndësishëm për Kosovën në rrugën e saj Drejt BE-së.
“Sot i uroj të gjithë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ndërmjet Bashkimin Evropian dhe Republikës së Kosovës të cilën e kemi nënshkruar më 27 tetor 2015 në Strasburg dhe e kemi ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 2 nëntor 2015. MSA është hapi i parë dhe më i rëndësishëm në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkruan Çollaku.
Ministri thotë se nga MSA-ja vendi do të ketë shumë beneficione në të gjitha fushat, përfshirë edhe më shumë vende të punës.
“Kjo marrëveshje e shton rëndësinë dhe përkushtimin për integrimin evropian të vendit tonë. Përfitimet e kësaj marrëveshje shtrihen në fushat politike, ekonomike dhe përafrim të legjislacionit, dhe këto do të përkthehen në më shumë stabilitet, paqe, zhvillim ekonomik, më shumë vende pune, liri, dhe sundim të ligjit. Prioriteti i radhës padyshim është përfundimi i dialogut për liberalizim të vizave, që poashtu është në fazën e fundit”.