Lajmet e fundit
Bekim Çollaku: Pritjet e institucioneve dhe qytetarëve të vendit janë se në vitin 2016 do të udhëtojmë pa viza në shtetet e zonës Shengen, dhe kjo nuk ka të bëjë me optimizëm apo pritje të pabazuar, por ka të bëjë me bindjen tonë se kemi arritur të përmbushim kushtet e kërkuara.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës shprehen optimistë se qytetarët e Kosovës vitin e ardhshëm do mund të lëvizin lirshëm, pa viza, në shtetet e zonës Shengen.
Ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, tha për Radion Evropa e Lirë se procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian është proces i dyanshëm, përderisa përgjegjësia e përmbushjes së kritereve është mbi institucionet e vendit.
Ai tha po ashtu se është përgjegjësi edhe e Komisionit Evropian të vlerësojë nëse kriteret janë përmbushur mjaftueshëm për të rekomanduar liberalizimin e vizave.
“Pritjet e institucioneve dhe qytetarëve të vendit janë se në vitin 2016 do të udhëtojmë pa viza në shtetet e zonës Shengen, dhe kjo nuk ka të bëjë me optimizëm apo pritje të pabazuar, por ka të bëjë me bindjen tonë se kemi arritur të përmbushim kushtet e kërkuara dhe se do të vlerësohet pozitivisht puna jonë serioze, nga ana e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë ministri Çollaku, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Ministri Çollaku është shprehur po ashtu se “për institucionet e Kosovës ka qenë e rëndësishme ndërmarrja e reformave dhe zbatimi i kritereve”.
Kjo qasje, sipas ministrit Çollaku, ka dhënë rezultate pasi që ekspertët të cilët ishin në Kosovë gjatë muajit korrik në kuadër të misionit fakt-mbledhës, kanë konstatuar përparim në të gjitha kriteret e kërkuara.
“Me të drejtë presim përmbylljen e dialogut me një rekomandim për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, brenda këtij viti”, është shprehur ministri Çollaku.