Lajmet e fundit

Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, LIBE, i Parlamentit Evropian pritet që ta thotë fjalën e tij për liberalizimin e vizave për Kosovën, që është një hap para se Parlamenti Evropian të vendosë nëse qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
Votimi negativ do t’i shtynte proceset sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, për një periudhë të pacaktuar. Ministri I Integrimit Evropian, Bekim Çollaku thotë se gjërat nuk janë aq mirë në Bruksel.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku nuk ka dashur të komentojë se cili mund të jetë rezultati I votimit në Komitetin për të drejtate civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, LIBE në Parlamentin Evropian. Por, ai ka pranuar se gjërat nuk janë edhe aq mirë në Bruksel, duke pasur parasysh se Kosova nuk e ka përmbushur edhe kushtin e fundit që është ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Me këtë gjë iu kemi dhënë arsye të mjaftueshme deputetëve të Parlamentit Evropian që të ngrisin pikëpyetje lidhur me atë se a meriton Kosova në këtë fazë që të mos shkojë më tutje apo jo”, tha Çollaku për Radio Kosovën.
Megjithatë, Ministri i Integrimit Evropian thotë se duke pasur parasysh e ky votim është njëri ndër hapat në kuadër të procesit të vendimmarrjes, ka shpresë që në këtë fazë ky komision do të jap dritën jeshile për Kosovën dhe do t’i jap kohë Kosovës që t’i përmbushë obligimet që ka para vetes.
“Në qoftë se sot ne nuk do të jemi pjesë e votimit pro, kjo në mënyrë automatike do ta zvarriste më tutje vendimmarrjen në kuadër të institucioneve të BE-së. Mirëpo në qoftë se sot e marrim dritën jeshile nga ky komision, ne do të kemi kohë të mjaftueshme që përpara seancës plenare të Parlamentit Evropian, ne ta kryejmë obligimin e mbetur”, tha Çollaku.