Lajmet e fundit

U prezantua sot në UET, çmimi “Kadare”, një çmim që do i akordohet prozës shqipe, ku mirëpriten të sjellin dorëshkrimet autorë nga të gjitha trevat shqipfolëse. Çmimi do te jepet nga “Fondacioni Mapo”. Ky çmim që mban vlerën e 10 mijë eurove për fituesin, vlera më e lartë që një çmim letrar ka në Shqipëri, inkurajon prozën shqip dhe do të akordohet në fundjavën në prag të hapjes së Panairit të librit në mes të muajit nëntor. Në vite të tjera ky çmim do të jepet në javën e parë të muajit maj, në Ditët Letrare të Razmës. Me këtë çmim u promovua edhe Qendra e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare”, pranë Universitetit Europian të Tiranës. Çmimi “Kadare” do të akordohet nga “Fondacioni Mapo” dhe do të pranohen vetëm vepra shqip në dorëshkrim. Juria e këtij çmimi përbëhet nga bordi i këtij fondacioni :
Artur Zheji
Alfred Lela
Gilman Bakalli
Henri Çili
Ylljet Aliçka
Preç Zogaj
Rudolf Marku
Virgjil Muçi
Juria do të konsultohet gjerësisht për dhënien e çmimit në “Ditët Letrare të Razmës”. Nëse një nga anëtarët e jurisë dëshiron të konkurrojë për çmimin me veprën e tij i duhet të tërhiqet nga juria. Fituesi do të botohet ekskluzivisht nga Botimet Mapo dhe ia kalon të drejtat këtij enti. Çmimi Kadare është vetëm një pjesë e një katërkëndëshi , ku përshihet Qendra e Studimeve Letrare “Kadare” , Ditët Letrare të Razmës dhe hapja e një degë për “Shkrimin Krijues (Creative Writing) në UET. Suplementi i fundjavës në gazetën Mapo, “Mapo Libri&Ide” do i kushtohet vetëm letërsisë. Thirrjet janë të hapura dhe do të pranohen dorëshkrime deri më 31 tetor. Ky çmim shkon vetëm për autorët dhe jo përkthyesit, pasi bëhet fjalë për një çmim që i akordohet prozës shqipe dhe jo përkthimeve nga gjuhë të huaja./ Lapsi.al