Lajmet e fundit
"Derisa shqiptarët i duan fort Clintonët dhe madje kanë ngritur një përmendore në Prishtinë, për Bill Clinton, serbët në Kosovë dhe shteti serb do të kujtojë gjithmonë këtë çift si njerëz që kanë udhëhequr një koalicion në kampanjën ilegale të bombardimeve dhe kanë mbështetur UÇK-në pa rezerva".

Në një shkrim për Telesur në gjuhën angleze një autore serbe ka shkruar një artikull për raportin e familjes Clinton me serbët, njofton Klan Kosova.
Sipas Maria Markoviq çifti amerikan mund të jetë ndoshta dyshja më e urryer mes serbëve. Si arsye janë vendosur lufta në Bosnje dhe ajo në Kosovë.
Markoviq shkruan se përfshirja e ish-Presidentit amerikan Bill Clinton në Ballkan fillon në vitin 1995, kur ai kishte aprovuar një operacion ushtarak, ku NATO nga ajri kishte ndërmarrë një kampanjë për dëmtimin e fuqive ushtarake të Ushtrisë Serbo-boshnjake gjatë luftës së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Markoviq shkruan se lufta në Bosnje njihet si konflikti që ka përçarë më shumë se asgjë tjetër Europën qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Konflikt ky mes viteve 1992 dhe 1995, ku vdiqën më shumë se 10.000 persona dhe u zhvendosen afër 2.2 milionë të tjerë.
Sipas autores, në vitin 1999 zonja e parë Hillary Clinton, e kishte pranuar se ajo kishte kontaktuar në telefon me burrin e saj, derisa qëndronte në Afrikë, dhe e kishte lutur që të fillonte bombardimet, përkundër se lufta në Ballkan nuk përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtete e Bashkuara të Amerikës.
"Disa dokumente sekrete prej 2,346 faqesh, që u zbuluan më vonë, tregojnë se Bill Clinton e kishte pasur shumë të vështirë t’i bindte aleatët e tij të intervenonin ushtarakisht. Konflikti ishte mjaft kompleks, duke përfshirë territore të ndryshme dhe etni të ndryshme në Ballkan".
"Por argumentet e Clintonit kishin qenë se Bosnja është në 'zemër të Europës' dhe kishte shpendarë frikën mes aleatëve se konflikti mund të eskalojë edhe në pjesë të tjerë të kontinentit europian", shkruan Markoviq, njofton Klan Kosova.
Intervenimi ushtarak në Bosnje kishte rezultuar me “Marrëveshjen e Dejtonit”, një marrëveshje që kishte për synim krijimin e paqes duke ndarë shtetin e Bosnjës në federatën që një pjesë e përbënin boshnjakët myslimanë dhe kroatët dhe pjesën tjetër serbët në atë që quhet Republika Srpska.
Marrëveshja ndaloi luftën pas tre vjet e gjysmë luftime, mirëpo më këtë ujdi u krijua një shtet dis-funksional, që në vazhdimësi vuan nga papunësia dhe shpërthimet nacionaliste.
Lufta në Kosovë
Katër vjet më vonë, në vitin 1999, Presidenti Clinton vendosi të aprovojë edhe një sulm duke parandaluar presidentin serb Slobodan Millosheviq të bëjë spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës.
Clinton fuqishëm përkrahu shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në luftën e tyre kundër forcave jugosllave/serbe.
Siç shkruan autorja “UÇK-ja ishte emëruar organizatë terroriste në fillim, duke qenë përgjegjëse edhe për vrasjen e qindra serbëve në Kosovë, para se lufta të fillonte”.
Prapë, "Clinton dhe Madeline Albright ftuan UÇK-në për trajnime në SHBA".
Bombardimet e NATO-s kishin zgjatur 78 ditë duke filluar nga 24 marsi, duke u lëshuar 14,000 bomba në caqet serbe.
Sipas Markoviq “nga bombat ishin goditur edhe ndërtesa civile dhe po ashtu edhe manastire, fabrika, stacione televizive, spitale dhe shkolla”.
"Intervenimi që nuk ishte aprovuar nga OKB-ja kishte kontribuar në ndarjen e Jugosllavisë ku edhe u vranë qindra persona. Këto aksione ishin kundërshtuar nga Kina dhe Rusia”.
Sipas këtij artikulli, Albrighte e kishte pranuar se SHBA-të kishin prezantuar te Serbia një ofertë të papranueshme për ta the “kishin vendosur pragun shumë lartë”, sepse ishte prioritet bombardimi.
“Atyre iu nevojiten ca bomba, prandaj edhe do të bombardohen me to”, kishte thënë Albright në atë kohë, thuhet në artikull.
Qysh nga atëherë...
Përfundimi i luftës nuk kishte nënkuptuar edhe përfundimin e përfshirjes së administratës së Clintonit në këtë territor. Si sekretare e shteti, "Hillary Clinton, kishte thënë se Kosova është çështje personale për të".
“Për mua, familjen time dhe amerikanët e mi të dashur, kjo është më shumë se politikë e jashtme, është diçka personale”, kisht thënë Clinton, shkruan Markoviq, njofton Klan Kosova.
Hillary Clinton madje është takuar më shumë se njëherë me Hashim Thaçin, derisa ia mbante pozicione të ndryshme në politiken kosovare.
Sipas artikullit "Thaçi ka mbështetje të pashoqe të familjes Clinton, edhe pse ai është i akuzuar për krim të organizuar dhe trafikim organesh".
"Derisa shqiptarët i duan fort Clintonët dhe madje kanë ngritur një përmendore në Prishtinë për Bill Clinton, serbët në Kosovë dhe shteti serb do të kujtojë gjithmonë këtë çift si njerëz që kanë udhëhequr një koalicion në kampanjën ilegale të bombardimeve dhe kanë mbështetur gjithmonë UÇK-në".