Lajmet e fundit

Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e parë të Grupit të veçantë për normalizim në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që u mbajtë dje në Bruksel.
Në këtë takim që u bashkëkryesua nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Thomas Busch, u diskutua rreth progresit dhe sfidave të dialogut të Brukselit për periudhën gjashtë vjeçare ku të dyja palët paraqitën vlerësimet e tyre rreth procesit të normalizimit e marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Ishte qëndrim i përbashkët se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate mjaft të mira me një angazhim të madh të tre palëve dhe porse u theksuan edhe sfidat në këtë proces në lidhje me marrëveshjet që janë në pritje të zbatimit.
Tahiri tha në këtë takim se marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e nënshkruar në mes të BE-së dhe Kosovës përmbush pjesën e parë të vizionit tonë evropian. E konsiderojmë atë një marrëveshje historike pasi ajo përcakton një proces të qartë dhe zyrtar të integrimit të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.
"Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë rrugëtim sfidues, dhe jemi të përkushtuar që të realizojmë më tej reformat evropiane në mënyrë të përgjegjshme dhe efektive. Vizioni ynë është integrimi i plotë i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike, si një nga prioritetet kryesore strategjike të politikës sonë të jashtme".
"Në këtë drejtim, Republika e Kosovës është dëshmuar të jetë një faktor i besueshëm në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon përmes bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kemi vepruar kështu sepse ne shikojmë te ardhmëria, duke mos e harruar të kaluarën tragjike të luftërave dhe vështirësive por duke mos lejuar që të jetë barrierë për ardhmërinë tonë".
Sipas saj, kjo është arsyeja pse Kosova është angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me shtetin fqinj Serbinë.
"Ne besojmë fuqishëm se është i mundur ndërtimi i një kapitulli të marrëdhënieve paqësore të fqinjësisë ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe se dialogu gjashtë vjeçar në Bruksel ka shtuar rrugën drejt këtij qëllimi"
" Konsiderojmë se marrëdhëniet e qëndrueshme paqësore do të arrihen atëherë kur arrihet njohja e ndërsjellë në mes të dy shteteve, sa më shpejt aq më mirë".
"Po kaq i rëndësishëm është fakti se dialogu i Brukselit ka ndihmuar normalizimin e situatës në pjesën veriore të vendit tonë. Kosova ka arritur të konsolidoj sovranitetin e saj në këtë pjesë të vendit në shumë fusha, duke reintegruar gjithnjë e më shumë komunitetin serb, duke i dhënë fund ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë dhe duke i larguar strukturat e saj paralele në Kosovë në fushat ku janë arritur marrëveshjet.
"Konstatojmë me shqetësim se procesi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura nuk ka përfunduar ende në disa fusha të rëndësishme, ndërsa afatet e parashikuara në planet e veprimit kanë skaduar. Konsiderojmë se vonesat, shmangiet apo shkeljet në procesin e zbatimit janë rezultat i mungesës se vullnetit politik nga ana e Serbisë për të zbatuar atë që është rënë dakord".
"Fenomeni më shqetësues është dualizmi i Serbisë në zbatim, që tregon se në njërën anë Serbia zbaton marrëveshjet ndërsa në anën tjetër vazhdon mbështetjen e saj për strukturat paralele në Kosovë".
"Mirëpo, periudha e fundit ka qenë po ashtu e ngarkuar me disa zhvillime të rrezikshme të nxitura nga Serbia, me ç`rast u krijua përshtypja se dialogu po dilte nga binaret dhe po kthehej mentaliteti i vjetër"
" Mund të keni vërejtur këto zhvillime siç është ndërtimi i një muri të çuditshëm në Mitrovicë, një treni të çuditshëm që mundohej të hyj në Kosovë, fletëarresteve arbitrare si pasojë e të cilave ish-kryeministri dhe komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, po përballet me drejtësinë në Francë, pastaj disa sulme me bombë kundër implementimit të marrëveshjes për vendosjen e zyrave të Qeverisë së Kosovës në veri ku janë punësuar qytetarë të komunitetit serbë të Kosovës, ish pjesëtarë të strukturës së shuar “mbrojtjes civile”, në pozitat e shërbyesve civile. Qeveria e Kosovës u është përgjigjur këtyre sfidave me vendosmëri dhe maturi, ka mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, BE-në dhe SHBA-të, duke e stabilizuar situatën", ka theksuar ajo, transmeton Klan Kosova.