Lajmet e fundit

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka diskutuar sot për situatën aktuale në vend.
Kjo parti vlerëson se i gjithë spektri politik duhet të jetë i bashkuar për çështjet me rëndësi nacionale, siç janë demarkacioni dhe çështje tjera që forcojnë shtetësinë tonë.
Ajo konsideron se partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare është jetik për fuqizimin e shtetit tone, por edhe për proceset e integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.
"Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, me fokus të veçantë në gjendjen aktuale të sigurisë, thekson se demokracia jonë duhet të jetë e bazuar në respektimin dhe zbatimin e rendit dhe ligjit dhe në këtë drejtim mbështetë punën institucionale të organeve përgjegjëse si dhe mbështetjen nga institucionet ndërkombëtare të pranishme në vendin tonë".
"Partia Demokratike e Kosovës me shqetësim të madh i ka përcjellë ngjarjet e sotme, ku zyrtarë dhe militantë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar me dyshime në lidhje me sulmet e armatosura kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, konkretisht Kuvendit të Republikës së Kosovës".
"Partia Demokratike e Kosovës, fton organet e rendit dhe ligjit që të ndërmarrin të gjithë hapat ligjorë kundër të gjithë atyre që nëpërmjet metodave dhe aksioneve para-militare kanë degraduar sigurinë në vend dhe kanë cenuar lirinë e secilit qytetar të Kosovës".
"Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe dhe me besimin më të madh të qytetarëve në vend, do të kundërshtojë fuqishëm forcat destabilizuese dhe do të jetë garant e funksionimit të shtetit të pavarur dhe sovran. Çdo veprim që bie ndesh me ligjin, që cenon lirinë, sigurinë dhe jetën e qytetarëve, do të jetë i dënueshëm", thuhet në një njoftim për media të këtij subjekti, transmeton Klan Kosova
.