Lajmet e fundit

Seanca e sotme konstituive e Legjislaturës së Nëntë, e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani, ka dështuar të arrijë qëllimin e saj.
Kësisoj, deputetët e rinj nuk arritën të bënin betimin për arsye se partitë që ishin në opozitë deri më tani nuk e votuan raportin për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
“Në këto rrethana dhe pas një konsulte me përfaqësues të subjekteve politike, kryesuesi Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës, me qëllim që të njoftohet Presidentja për hapat e mëtejmë”, tha Kuvendi në njoftimin për media.
Kuvendi ndërkaq ka njoftuar mbi mbarëvajtjen e seancës së sotme.
Seanca nisi punimet nën drejtimin e deputetit më të vjetër të legjislaturës, Avni Dehari (VV), i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari (PDK).
Në seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vendin tonë.
Kryesuesi i seancës, Dehari, fillimisht uroi deputetët për mundësinë e përfaqësimit të qytetarëve gjatë këtij mandati, si dhe përshëndeti ambasadorët dhe mysafirët e tjerë të pranishëm, duke proceduar më pas me rendin e ditës.
Në vijim u paraqitën propozimet për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Partitë politike propozuan nga një anëtar të këtij komisioni, i cili mori mbështetjen e Kuvendit.
Pas mbledhjes së Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, raportin e të këtij komisioni e paraqiti deputeti Artan Abrashi, sipas të cilit ky raport në komision ka kaluar me shumicë votash.
Pas prezantimit të raportit, kryesuesi Dehari e hodhi në votim atë. Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve për miratim. Kështu, për raportin votuan 52 deputetë, 46 votuan kundër, ndërsa 11 abstenuan.
Në këto rrethana dhe pas një konsulte me përfaqësues të subjekteve politike, kryesuesi Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës, me qëllim që të njoftohet Presidentja për hapat e mëtejmë.