Lajmet e fundit

15:04 - Nagavci: Jemi të lumtur që kemi sjell në Luginë tekstet shkollore
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur e lumtur që kanë dërguar në Luginën e Preshevës tekstet shkollore.
"Është kënaqësi që të jem sot në Preshevë, është vizita e dytë zyrtare që bëj këtu, ne kemi parë nga afër sfidat me të cilën fëmijët shqiptarë ballafaqohen me mungesën e teksteve mësimore, jemi shumë të lumtur që kemi sjellur tekstet shkollore për të gjithë nxënësit shqiptarë nga klasa e parë deri në klasën e tetë", tha ajo.
Nagavci tha se pavarësisht kësaj janë të shqetësuar që nxënësit e shkollave të mesme përballen akoma me mungesë të librave, përcjell Klankosova.tv.
"E kemi kuptuar sërish me shqetësim se nxënësit e shkollave së mesme vazhdojnë të ballafaqohen me sfida sa i përketë mnungesës së teksteve, gjithsesi bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe më tutje dhe jemi të lumtur të shohim nga afër punën e mirë që bëhet në shkolla, të shohim entuziazmin dhe gëzimin e nxënësve dhe presim që të kemi bashkëpunime në fushën e arsimit dhe jo vetëm edhe në të ardhmenKënaqësi dhe falenderime për të gjithë ata me të cilët realizuam takime dhe që jam e bindur që është në fillimet e bashkëpunimeve tona edhe për të ardhmen", u shpreh tutje ajo.
14:58 - Bislimi: Ka ardh momenti kur mund t’i tregojmë Evropës si fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, është shprehur i shqetësuar për ndarjen e vetëm 4 mijë teksteve shkollore gjatë vizitës në dy shkolla të Luginës.
Para mediave, ai tha se është e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia ka arritur që me politikat e saj të shpopullojë këtë regjion.
“Bashkë me ministren Arbërie Nagavci kemi realizuar një sërë takimesh edhe me lidershipin politik komunal dhe nivel qendror ku takuam edhe deputetin Shaip Kamberi dhe vizituam dy shkollat. Takuam nxënësit dhe u kemi dhënë libra falas. 4 mijë e 10 nxënës kanë përfituar tekste falas për mësimin në gjitha klasat e fillores. Po aq sa jemi të gëzuar që kemi pasur mundësinë të mbulojmë këtë kosto, po aq jemi të shqetësuar që kemi ndarë libra për vetëm 4 mijë e 10 nxënës duke ditur që para pak viteve në shkollat fillore dhe të mesme të Luginës së Preshevës kanë vijuar mësimin mbi 13 mijë nxënës shqiptarë. Është pak e frikshme shpejtësia me të cilën Serbia ka arrit që me politikat e saj ta shpopullojë këtë regjion”.
Bislimi tutje tha se një temë me rëndësi në Bruksel do të jetë edhe garantimi i simetrisë dhe barazisë në të drejta mes qytetarëve shqiptarë në Luginë dhe atyre serbë në Kosovë.
“Ka ardh momenti kur mund t’i tregojmë gjithë Evropës si fytyra e vërtetë e Serbisë vërehet në Luginë meqë mendojmë që s’ka asnjë regjion në Evropë ku popullata ende në vitin 2022 lufton për tekste mësimore për të drejta bazike, lufton për përfaqësim qoftë minimal nëpër institucione shtetërore”, tha Bislimi, njofton Klankosova.tv.
Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministren e arsimit, Arbërie Nagavci, në Komunën e Bujanocit, Kamberi tha se shpresojmë që kjo kërkesë të përfshihet në dialog.
“Çështja e të drejtave të Luginës duhet të jetë prezente, besojmë dhe shpresojmë që Qeveria e Kosovës, marrëveshjen finale që duhet të arrihet me Serbinë, çështjen e shqiptarqve të Luginës ta ketë pjesë”, tha ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci po qëndrojnë për vizitë në Luginën e Preshevës.
13:39 - Tekstet e dërguara për nxënësit e Luginës, Nagavci e Bislimi marrin mirënjohje
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë vizituar Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc.
Në këtë shkollë, ata janë pritur me lule e duartrokitje, përcjell Klankosova.tv.
Ndër të tjera, Nagavcit e Bislimit u janë ndarë edhe mirënjohje për tekstet e dërguara për nxënësit e Luginës.
13:21 Tërnoci pret me lule Nagavcin dhe Bislimin
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës.
Tani ata kanë vizituar Shkollën Fillore "Muharrem Kadriu" në Tërnoc, përcjell Klankosova.tv.
Në këtë shkollë ata u pritën me lule dhe duartrokitje.
Më poshtë mund të shihni pamjet e Klan Kosovës nga vizita e tyre në këtë shkollë:
12:30 - Bërnabiq refuzon ta quajë kufi pikën mes Kosovës dhe Serbisë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka refuzuar që ta quajë kufi – pikën e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Bërnabiq këto deklarata i bëri pas kalimit të kufirit Kosovë – Serbi, ku pritet që sot të qëndrojë në Kosovë e ku do të vizitojë komunat veriore me shumicë serbe, përcjell Klankosova.tv.
Derisa gjatë fjalimit të saj nga Mitrovica e Veriut, Bërnabiq i është kundërpërgjigjur kryeministrit të vendit Albin Kurti i cili tha se Bërnabiq mund ta shohë se sa demokratike është Kosova.
“Ai [Kurti], nuk mund të flasë për demokraci kur i ka ndaluar serbëve votimin”, tha Bërnabiq.
Tutje ajo nuk ka treguar se çka do të thotë sipas saj “kompromis në dialog”.
11:13 - Bislimi e Nagavci vizitojnë Këshillin Kombëtar Shqiptar
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës.
Ata kanë vizituar Këshillin Kombëtar Shqiptar, ku janë takuar me kryetarin e këtij këshilli, Ragmi Mustafin, përcjell Klankosova.tv.
Bislimi gjatë këtij takimi është shprehur se kanë për qëllim që të mbështesim aktivitetet e shoqërisë civile në fusha të ndryshme.
"Kemi nda fondin prej 2 milionë, por vetëm si fond fillestar me iden që në të ardhmen ky fond, me shpresë që edhe Shqipëria shumë shpejt i bashkangjitet këtij fondi në mënyrë që mundësia jonë për ndikim në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Luginë të shtohet dukshëm. Ideja jonë është që të mbështesim aktivitetet e shoqërisë civile në fusha të ndryshme", u shpreh Bislimi.
11:07 - Arifi nuk do t’i takojë Bislimin dhe Nagavcin: E injoruan Preshevën
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka thënë se nuk do të takohet me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi, dhe ministren e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci të cilët sot do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës.
Ai për Klankosova.tv u shpreh se nuk do të takohet me ta dhe nuk do të marrë pjesë as në drekën e punës të paralajmëruar me liderët politikë të atjeshëm, kjo për shkak se siç u shpreh ai, e kanë injoruar Preshevën.
"Jo, nuk do t'i takojë si shenjë proteste që e kanë injoru komunën e Preshevës, për shkak të injorimit që i kanë bërë Preshevës dhe shqiptarëve në komunën më të madhe shqiptarë në Luginë, nuk do të marrë pjesë as në drekë, sepse tjera termine as që kanë paraparë", tha Arifi për Klankosova.tv.
10:59 - Bërnabiq arrin në Mitrovicë të Veriut
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka arritur në Mitrovicë të Veriut.
Bërnabiq do të qëndrojë në Qendrën e IT-së dhe Akademisë Shpirtërore atje, ku pritet të deklarojë edhe për media, njofton Klankosova.tv
Në orën 12:00, ajo do të shkojë në Manastirin e Banjskës në Zveçan, ku po ashtu pritet ta ketë një adresim para qytetarëve.
Vizita e shefes së Qeverisë serbe vazhdon te tri familje serbe në Leposaviq.
10:36 - Bislimi e Nagavci priten tek Dheu i Bardhë, Bërnabiq vjen në Kosovë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq pritet të arrijë në Kosovë, ndërsa delegacioni kosovar i përbërë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci janë përcjell nga policia serbe te Dheu i Bardhë ku do të vazhdojnë për në Luginë të Preshevës.
Sipas kësaj agjenda, shefja e ekzekutivit serb është paraparë të arrijë në Mitrovicë në orën 10:10, ku do të qëndrojë në Qendrën e IT-së dhe Akademisë Shpirtërore atje.
Po nga atje, ajo pritet të deklarohet për media, njofton Klankosova.tv.
Nga Mitrovica, Bërnabiq në orën 12:00 shkon në Manastirin e Banjskës në Zveçan ku poashtu pritet ta ketë një adresim para qytetarëve.
Vizita e shefes së Qeverisë serbe vazhdon te tri familje serbe në Leposaviq, njofton Klankosova.tv.
Në ditën që Bërnabiq po qëndron në vendin tonë, në Serbi gjegjësisht në Luginë të Preshevës për vizitë kanë shkuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
10:15 – Policia serbe e pret delegacionin e Kosovës tek Dheu Bardhë
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë ditës së sotme do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës.
Me këtë rast policia serbe ka dal tek Dheu i Bardhë për ta pritur delegacionin nga Kosova dhe për ta përcjell deri në Bujanoc.
E një vizitë në Kosovë do ta zhvillojë kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq.
Për sigurinë e saj do të përkujdeset policia e Kosovës, njofton Klan Kosova.
Kryeministrja e Serbisë në mëngjes do të vijë në Mitrovicë, ku do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri, si dhe Akademinë Shpirtërore, përcjell Klankosova.tv.
Pas kësaj, siç është paralajmëruar, është paraparë vizita e saj në manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit.
Më pas ajo do vazhdojë vizitën në Leposaviq.
09:26 - Policia e Kosovës mbyll disa rrugë për ta siguruar vizitën e Bërnabiqit në veri
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në rastin e vizitës së kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në veri të Mitrovicës, do të përkujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Në njoftim thuhet se në segmentet nëpër të cilën do të kalojë eskorta e kryeministres serbe do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitetet.
“Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se sot për vizitë në Luginë të Preshevës do të jenë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
09:19 - Jevtiq: Vizita e kryeministres së Serbisë e një rëndësie të madhe për serbët
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha se vizita e kryeministres serbe Ana Bërnabiq në Kosovë është e një rëndësie të madhe për serbët në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit.
Ai ka shtuar se “shefja e ekzekutivit serb do të dëgjojë nevojat e qytetarëve nga Leposaviqi në Ranillug”.
Jevtiq deklaroi se sot do të ketë mundësinë të bisedojë me Bërnabiq për jetën dhe nevojat e serbëve jo vetëm në Shtërpcë, por “edhe në jug të Ibrit në përgjithësi”.
09:06 - Cili ministër e vizitoi për herë të fundit Luginën e Preshevës?
Sot zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës.
Ndërkaq, vizita e fundit në Luginën e Preshevës ishte nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ai u takua me kryetaren e atëhershme, Ardita Sinani, me të cilën kishin diskutuar për bashkëpunimin e mëtutjeshëm dhe krijimin e lidhjeve më të sigurta e të qëndrueshme, për avancimin e të drejtave dhe mirëqenien e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
08:00 - Bislimi e Nagavci vizitojnë Luginën e Preshevës, Bërnabiq vjen në Kosovë
Të hënën zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës.
Përfaqësuesit shqiptarë në Luginë i kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që t’i vizitojnë ata.
Por, këtë do ta bëjnë varësit e tij.
Vizita e tyre vjen në kohën kur në Kosovë pritet të vijë kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq.
Bërnabiq vjen sot në Kosovë me lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.
Agjenda e vizitës së Bisilimit dhe Nagavcit:
10:30 – Takim me Këshillin Kombëtar Shqiptar
11:15 – Takim me Deputetin z. Shaip Kamberi
12:00 – Takim me krerët e Komunës së Bujanocit
12:45 – Vizitë në Shkollën Fillore ‘’Muharrem Kadriu’’ – Tërnoc
14:50 – Vizitë në Shkollën Fillore ‘’Ibrahim Kelmendi’’ – Preshevë
15:00 – Drekë Pune me liderët politik të Preshevës
17:30 – Takim me Shoqata, Biznese dhe Personalitete të Shquara – Hotel Rozafa Bujanoc