Lajmet e fundit

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat e dramës “Çka mbinë s’pari kur kallet bota?” (me titull pune “E zeza”), një projekt që vjen nga bashkëpunimi i ngushtë mes dramaturges Fjolla Hoxha dhe regjisores Flutra Zymi. Kjo shfaqje pritet të dalë me premierë në fillim të muajit dhjetor të këtij viti si një nga tri konceptet fituese në konkursin për skenë të vogël për vitin 2015.
“Çka mbinë s’pari kur kallet bota?” është një projekt eksperimental i formatit të teatrit organik që është inicuar nga Flutra Zymi dhe Fjolla Hoxha me synim që të krijohet dhe promovohet drama hulumtuese vendore, bazuar në problematikat aktuale që janë karakteristike për ambientin Kosovar. Autoret e projektit kanë zgjedhur këtë format të punës me qëllim që shfaqja të realizohet gjatë një procesi të bashkëpunimit të ngushtë mes gjithë palëve të përfshira në krijimin e saj.Njëherësh, është një projekt multimedial i cili e përfshinë artistin vizuel Kleidi Eski nga Tirana.
“Çka mbinë s’pari kur kallet bota?” ka për fokus tregimin e një gruaje 30 vjeçare për të cilën nuk është shumë e qartë se çfarë kahje do të marrë jeta e saj në vijim, veçanërisht kur vendimet e saj ndikohen nga një grua tjetër motivet e ndërhyrjes të së cilës janë të shumëanshme. Ndërveprimi i këtyre grave mëton t’i prekë gjendjet më të errëta shpirtërore ku mund të futet njeriu dhe nga ku shumë shpesh nuk mund të gjendet rrugëdalje.
“Dëshiruam që ta sjellim në sipërfaqe një përbindësh të cilin të gjithë e fshehim në shtëpi. Si Gregory Samsa te Metamorfoza e Kafkës, ky përbindësh shndërrohet dhe rritet para syve tanë, ndërkohë që konstatimi lidhur me transformimin e tij gati se gjithnjë merr kuptim me vonesë”, kanë thënë për KultPlus, drejtori artistik i TKK-së Agon Myftari.
Autoret e dramës nisen nga marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe shkëputja mes dëshirave dhe mundësive të realizimit të tyre si bazë për hulumtimin e tyre dramatik. Ato janë të intriguara dhe të frymëzuara nga nënteksti që përmban komunikimi mes njerëzve në ndërthurje me mendimet e tyre dhe marrëdhënia e individit me mendimet dhe ndjenjat e veta. ‘Duke u nisur nga këtu, tentojmë që ta realizojmë një dramë ku cak është ndërveprimi i ndjenjave të karaktereve dhe përçimi i këtyre përjetimeve të ndërthurura tek shikuesi, si pjesëmarrës në shfaqje me energjinë dhe praninë e vet’.
‘Synojmë që ta realizojmë një shfaqje që i prekë sinqerisht përvojat njerëzore dhe ofron ngushëllim për gjendjen tonë emocionale, jep ide si të punojmë me veten, kurajo që ta pranojmë gjendjen tonë dhe të gjejmë mënyra unike të shërimit emocional’, është thënë lidhur me këtë shfaqje.
Megjithë përshtypjen sipërfaqësore se jeta është e bukur dhe e kënaqshme dhe buzëqeshjet në fotot në facebook, Kosova është duke përjetuar një amulli të madhe kolektive. Ndjenja që gjithçka jashtë nesh është më e bukur dhe vetëdijesimi për të qenit larg kësaj jete është shkatërruese, ndërkaq edhe privuese nga puna drejt pranimit të gjendjeve aktuale dhe përmirësimit të jetës këtu brenda, gjë e cila është plotësisht në duart tona.
Në realizimin e dramës “Çka mbinë s’pari kur kallet bota?” i kanë shkrirë dëshirat dhe forcat dramaturgia Fjolla Hoxha, regjisorja Flutra Zymi, asistentja kreative e shfaqjes Valmira Gashi aktoret: Kumrije Hoxha dhe Alketa Sylaj, artisti vizuel Kleidi Eski/, kostumografja dhe skenografja Leonora Mehmeti . Muzika Donika Rudi. Fotografia, MeddyHuduti. /KultPlus.com