Lajmet e fundit

Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku, gjatë mbledhjes së qeverisë ku është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian, ka thënë se MSA-ja parasheh thellimin e bashkëpunimit dhe reformat e nevojshme në më shumë se 40 fusha të ndryshme.
Ministri Çollaku po ashtu ka dhënë sqarime se cilat do të jenë efektet ekonomike të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në tregun e lirë të Kosovës.
“Fillimisht, duhet nënvizuar që MSA-ja synon krijimin e zonës së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe BE-së brenda 10 vite. Nga hyrja në fuqi e MSA-së, do të mundësohet nga një anë, qasja e plotë e produkteve të Kosovës në BE dhe nga ana tjetër, liberalizimi gradual i tregut të Kosovës për produktet e BE-së. Liberalizimi i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë tonë që do të ofron shërbimet më kualitative, produkte më të mira dhe çmime më të lira për qytetarët”, është shprehur ministri.
Sipas tij me nënshkrimin e MSA-së, Kosova do të tërheqë edhe më shumë investitorë të huaj për shkak se ajo ofron më shumë siguri për ta.
“MSA-ja do të ofrojë më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri për investitorët dhe rrjedhimisht do të kontribuojë në rritjen e investimeve të huaja direkte. Në tërësi, MSA-ja do të ndikojë në ristrukturimin e ekonomisë tonë, rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë”, ka thënë Çollaku, bën të ditur zyra për media e Kryeministrisë, transmeton Klan Kosova.
Pasi Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar, ajo pritet që të hënën të trajtohet si pikë e vetme e rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës.