Lajmet e fundit

Pas katër vjetësh pushtet dhe mes shumë dështimesh për të përmbushur premtimet e dhëna, Albin Kurti ka intensifikuar fushatën elektorale. Tash e dy javë, ai nuk ka lënë gjë pa thënë për ata që mendojnë ndryshe.
Por, është një pjesë e elektoratit të cilit i premtoi shumë, por realizoi vetëm një gjysmë premtimi që ia dha katër vjet më parë.
Fjala është për diasporën kosovare në botë. Në zgjedhjet e vitit 2021, kur mori shumicën e votave nga ta, Kurti u kishte premtuar se do të bënte Ligjin për Diasporën dhe do të avanconte mësimin në gjuhën shqipe.
Ai premtoi gjithashtu një diplomaci kulturore dhe ekonomike të zhvilluar, ku sipas tij remitancat do të shfrytëzoheshin për këtë qëllim, si dhe nxitjen e investimeve ekonomike. Por asnjëra nga këto nuk e pa dritën e diellit.
I vetmi premtim që arriti ta realizojë pjesërisht ishte mundësia që diaspora të votonte nëpër ambasada dhe konsullata, por as këtë nuk arriti ta përmbushte plotësisht.
Kjo, pasi me Ligjin e ri të Zgjedhjeve, u vendos një kufizim prej 1,000 votuesish për çdo vendvotim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar listën e qendrave të votimit në 19 ambasada dhe 16 konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 22 shtete të ndryshme. Në total, janë miratuar 47 vendvotime me nga 1,000 votues secili. Ndërkohë, këtë vit janë regjistruar mbi 100,000 votues nga diaspora.
Sipas kësaj logjike, mbi 60,000 votues ose duhet të vijnë në Kosovë për të votuar, ose të votojnë me postë.
Pra, duket se e vetmja pikë ku qeveria e Kurtit i është përkushtuar diasporës ka qenë marrja e votave të tyre.
Ja pse: më 7 maj 2021, kur Kurti po prezantonte planin e qeverisë së tij për vitet 2021-2025, një ndër pikat kryesore ishte Ligji për Diasporën dhe mësimi në gjuhën shqipe.
Por asgjë nuk bëri. Madje, edhe ligjin që e premtoi nuk e vuri asnjëherë në rend dite.
Edhe sot, në Gazetën Zyrtare, ligji i vetëm që është në fuqi është ai i vitit 2012, i cili ishte miratuar në kohën kur qeveria udhëhiqej nga Hashim Thaçi dhe ishte dekretuar nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.
Për më tepër, në faqen e dedikuar për Ligjin e Diasporës ndodhet gabimisht edhe një ligj me pretendime për amendamente, por kur hyn brenda, asnjë nga ndryshimet nuk i përket ligjit për diasporën.