Lajmet e fundit

Shtatzënia është shumë e rëndësishme për një grua, mirëpo jo në të gjitha rastet shtatzënia e nisur mund të jetë normale dhe pa probleme.
Doktori Robert Qirko, obstetër-gjinekolog në Spitalin Universitar Obstetrikë-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë, ka bërë të ditur shkaqet dhe rreziqet e shtatzënisë jashtë mitre.
Shumica e grave nuk kanë njohuri për gjendjen në të cilën ndodhen dhe në këtë mënyrë ato neglizhojnë situatën dhe shëndetin e tyre, shkruan Mapo, transmeton Klan Kosova.
Çfarë është një shtatzëni jashtë mitre?
Çdo shtatzëni që nuk është e vendosur në mitër, në kavitetin e mitrës, në hapësirën e mitrës, por është e vendosur në vende të tjera, si në bark. Pra, mund të vendoset në zorrë, në tubat e mitrës apo në vezët e gruas quhet shtatzëni jashtë mitrës. Një barrë jashtë mitrës është e barabartë me një moszhvillim të shtatzënisë. Duhet të merren menjëherë masat që të hiqet kjo shtatzëni.
Cilat janë shkaqet kryesore që favorizojnë krijimin e një shtatzënie jashtë mitre?
Shkaqet kryesore që mund të ndodhë një shtatzëni jashtë mitre janë ato anatomike që janë dëmtime të vetë tubit, pasi shtatzënia jashtë mitre në përqindje më të madhe është në tubat e mitrës, dëmtime të strukturës dhe formës së tubit apo të vetë kanalit në brendësi, pasi ky tub është vetëm 2 mm dhe dëmtohet shumë kollaj. Por, kjo mund të jetë edhe për shkak të infeksioneve aktuale apo kronike. Duke u dëmtuar kanali brenda tubit, bëhet shkak që veza të qëndrojë aty dhe të mos zbresë më poshtë. Atëherë barra zhvillohet aty dhe zmadhohet, derisa barra arrin në çarje. Një rast tjetër është kur kemi ndërhyrje nëpër tuba, pra kur bëhen operacione të mëparshme. Janë bërë përpjekje për të hapur tubin apo për të rregulluar një infeksion të tubit pa e hequr tubin. Atëherë është hequr infeksioni, është përmirësuar gjendja e gruas, por tubi ka ngelur i dëmtuar. Një rast tjetër është nga apendiciti, i cili si pozicion ndodhet afër tubit dhe duke bërë infeksion, mund të përfshijë edhe tubin. Ndërkohë që mund të heqë apendicitin, doktori e shikon që mund të jetë infeksion i lehtë, por që mund të sjellë pasoja në të ardhmen. Prandaj, një infeksion i thjeshtë mund të sjellë dëmtime. Një grua që ka probleme me tubat, duhet ta ketë parasysh që kur të ngelet shtatzënë, të shkojë te mjeku sa më herët.
Si mund të kuptojë një grua që po kalon një shtatzëni jashtë mitrës dhe cilat janë simptomat?
Është mirë që të identifikohet sa më shpejt që është e mundur për vetë efektin e trajtimit të saj. Ka simptoma dhe shenja që kur gruaja ka një barrë jashtë mitre mund të ketë dhimbje e cila nuk është shumë e zakonshme për shtatzëninë që është brenda në mitër dhe kjo dhimbje fillon qysh herët në shtatzëni sapo gruas fillojnë t’i vonohen zakonet. Mund të ketë hemorragji, e cila e ngatërron nganjëherë gruan. Dhe ato shpesh thonë që nuk jam shtatzënë sepse më erdhën zakonet. Por, që kjo hemorragji mund të jetë më e pakët deri në normale me një cikël të zakonshëm menstrual, por ndodh që gruaja të ketë vonesën menstruale që e bën atë të dyshojë që është shtatzënë. Gruaja vjen te ne dhe na thotë më janë vonuar zakonet dhe kam pak hemorragji, dyshon mos është shtatzënë dhe është në rrezik dështimi. Ndërkohë që nga ekzaminimi mjekësor rezulton se ka një barrë jashtë mitre.
Sa i rrezikuar është në këto raste shëndeti i gruas?
Gruaja duhet të vijë herët te gjinekologu, pasi është shumë e rëndësishme kapja e hershme. Sapo të marrë vesh që është shtatzënë dhe i janë vonuar zakonet, duhet të konfirmojë në është shtatzënë apo jo dhe kur është shtatzënia. Në qoftë se ka pasur zakonet një muaj përpara dhe tani vonohen një javë, atëherë gjëja e parë që duhet të bëjë një grua, është një test shtatzënie dhe në rastin kur testi del me dy vija, ajo duhet të drejtohet te gjinekologu. Dhe në qoftë se testi del me një vijë, gruaja është e mira që të konfirmohet nga gjinekologu shtatzënia pasi ka raste që testet nuk janë 100% të sakta. Kur shkon te gjinekologu, ti e merr të vërtetuar që një shtatzëni është brenda në mitër dhe çdo gjë kalon normalisht me këshillat që ndiqen për shtatzëninë. Në rastet kur shtatzënia është jashtë mitre dhe ajo kapet herët, mund të mjekohet me medikamentet dhe të kalojë çdo gjë pa probleme për gruan. Barra jashtë mitre nuk çohet deri në fund, por eliminohet me mjekime. Në rastet kur nuk kapet herët dhe gruaja nuk ka ardhur te gjinekologu për të vërtetuar se ku është shtatzënia e vet, ajo shtatzëni mund të vendoset në tubat e mitrës. Në këtë rast tubi ka një përmasë të caktuar dhe fillon të çahet pas 7-8 javësh dhe fillon të rrjedhë gjaku brenda në bark. Në këto raste ajo kalohet menjëherë në sallë operacioni në mënyrë që t’i hiqet tubi, që të ndalohet hemorragjia. Është e rëndësishme që të shkohet sa më herët te gjinekologu që të kapet dhe të mos arrihet në ekstreme.
Çfarë duhet të kenë parasysh dhe ku duhet pasur më shumë kujdes?
Duhet që gruaja menjëherë të bëjë testin e shtatzënisë, duhet që të paraqitet te gjinekologu që të kryejë vizitën e radhës. Në këtë moment gjinekologu kryen ekzaminime të tjera, që janë të rëndësishme për shtatzëninë, pasi ekzistojnë analiza laboratorike të cilat konfirmojnë 100% nëse gruaja është shtatzënë apo jo. Një shtatzëni jashtë mitre mund të mos dallohet në eko me pamje të parë në është jashtë mitre apo jo. Pasi mjeku shikon mitrën dhe aty nuk ka asnjë lloj shtatzënie, atëherë bëhet një analizë më e hollësishme, e cila quhet Beta HC2. Kjo analizë të jep 100% konfirmimin nëse gruaja është shtatzënë apo jo. Dhe në rast se kjo analizë del pozitive, atëherë duhet konfirmuar se ku është kjo shtatzëni, pasi edhe në rast se nuk e ke dalluar në pamje të parë në eko këtë shtatzëni bëhet një eko abdominale dhe transvaginale. Më pas bëhet konfirmimi i shtatzënisë dhe më pas kalohet në bërjen e analizave të tjera të cilat janë analiza rutinë për të vendosur se si do të procedohet në vijim: A duhet që të kalohet që të bëhet operacioni apo duhet bërë një mjekim me medikamente?