Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas fjalimit të deputetit të LVV-së, Fatos Geci, i cili uroi dënim me burgim të përjetshëm për ish-kreun e PDK-së, Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër.
Në fjalën e saj në seancën plenare, Çitaku tha se “ju duhet të ndiheni i turpëruar”.
Madje, ajo ftoi kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe shefen e GP të LVV-së, Arbërie Nagavci, që të distancohen nga kjo deklaratë e deputetit Geci.
“S’po di qysh me të thanë, se me të thanë deputet nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës vjen një lutje, në formë urimi, për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftu për lirinë e këtij vendi. Ju duhet të ndiheni i turpëruar, dhe Lëvizja Vetëvendosje nëse nuk mendon si ju, mu tani ju ftoj juve si kryetare dhe shefen e grupit, që të distancohet. Duhet të ju vijë turp”, tha Çitaku.
Gjatë fjalimit të tij, deputeti Geci ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm edhe ndaj "liderit tuaj suprem" siç tha ai, duke aluduar në ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë.
“Sot, dua të përshëndes vendimin e gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli. Dhe ju që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat. Por, edhe nëse lirohet ai nuk ka kurrfarë kredibiliteti përballë figurës së kryeministrit Kurti”, deklaroi Geci.
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.