E diela e javës së kaluar shënoi startin e sezonit të ri në Albi Mall Superligë me pesë ndeshje interesante që sollën në total 12 gola.
Gjithsesi numri i kënaqshëm i golave nuk nënkupton se sulmuesit patën punë të lehtë, pasi edhe portierët e ekipeve elitare arritën të ndalin gjuajtje të shumta drejt portave të tyre.
Edhe pse pranoi 4 gola në ndeshjen mes Malishevës dhe Prishtinës së Re, portieri vendas, Flamur Gashi ishte mjaftë i disponuar për lojë, duke bërë në total katër pritje, të cilat shpëtuan Malishevën nga një debakël eventual.
Ai kështu ishte portieri me më së shumti pritje në ndeshjet e para.
Pas tij në listë janë katër portierë me nga tre pritje në javën e parë.
Marko Jovanovski i Ferizajt dhe Faton Maloku i Dritës shpëtuan secili nga tre herë ekipet e tyre në fitoren e "Ujqve" 1:0 ndaj "Intelektualëve".
3 pritje i pati edhe Artan Iljazi i Ballkanit në barazimin 1:1 ndaj Gjilanit, kurse me po aq kontriboi edhe Altin Gjokaj në fitoren 3:2 të Prishtinës kundër Dukagjinit.
Florjan Smakiqit të Prishtinës së Re iu desh të intervenonte në dy raste, kurse vetëm nga një pritje në ndeshjet e para i patën Kenan Haxhihamza i Drenicës, Marijan Çoriq i Llapit dhe Vokli Laroshi i Gjilanit.
Xhiro e dytë në Albi Mall Superligë zhvillohet të dielen dhe transmetohet ekskluzivisht në kanalet Sport të platformës Artmotion.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.