Lajmet e fundit

Gazetari shqiptar në Kinë Edison Myrteza, duke e komentuar situatën në Ukrainë, ka thënë që Kina mbështetjen politike e ka ndaj Rusisë, por edhe e vërteta se çfarë ndodh në Ukrainë transmetohet.
Myrteza, në një lidhje direkte në 'Info Magazine' në Klan Kosova, ka thënë që të dy presidentët, ai i Rusisë, Vladimir Putin, dhe ai i Kinës, Xi Jinping, i kanë marrëdhëniet e mira.
"Të gjithë i dimë marrëdhëniet e mira që Kina ka me Rusinë dhe pikërisht vizita e presidentit rus, Vladimir Putin, disa ditë para fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore dhe më pas pjesëmarrja e tij. Duket se presidentët kanë marrëdhënie shumë të mira".
Tutje ai ka thënë që Kina qëndron në të dy anët e medaljes, sa i përket situatës mes Ukrainës dhe Rusisë.
"Edhe mediat kineze i kanë dërguar korrespodentët dhe gazetarët e vet për të transmetuar gjithçka që ndodh në Ukrainë dhe pavarësisht miqësisë që Kina ka me Rusinë, mediat kineze shtetërore japin pamje nga ajo që ndodh në Ukrainë".
"Duket sikur një vend i mban dy anët e medaljes edhe miqësinë, por edhe e transmeton atë se çfarë ndodh. Nuk quhet një sulm, por quhet pikërisht luftë, kështu të paktën e kanë cilësuar mediat kineze agresionin rus ndaj Ukrainës. Megjithatë, Kina ka futur në të njëjtën kohë jo vetëm Rusinë, por e ka goditur edhe SHBA-në, të cilët duhet të marrin masa që të mos ketë luftë dhe për të mos pasur përplasje mes Rusisë dhe Ukrainës", tha ai.