Lajmet e fundit

Dita e 11 qershorit do t'i gjejë kosovarët duke bërë zgjedhjen e radhës.
E para së t’ua mësyjnë kutive të votimit, ata do të ketë rastin që për 10 ditë me radhë, duke filluar nga 31 maji, të dëgjojnë ofertat e partive që synojnë pushtetin.
Zhvillimi ekonomik e mirëqenia sociale do të jenë moto të fushatave. Këto dy prioritete do t'i ketë edhe fituesja e tri palë zgjedhjeve të fundit, Partia Demokratike e Kosovës, që tani udhëhiqet nga Kadri Veseli.
Pas qeverisjes prej një dekade, PDK vlerëson se Kosova ka nevojë për një fillim të ri, që do të sillte zhvillim dhe hapësirë në të gjitha fushat dhe për të gjithë.
Edhe oferta e Vetëvendosjes për qytetarët e vendit gjatë kësaj fushate elektorale, konsiston tek zhvillimi ekonomik i vendit. Vetëm se ajo këtë pretendojnë ta arrijë bazuar në frymën që e ka si parti.
Edhe mirëqenia sociale e qytetarëve do të jetë një ndër pikat kryesore të VV. Por, sipas nënkryetarit Çaushi, asnjëra nga këto nuk mund të arrihet pa një sistem të mirëfilltë të drejtësisë.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila pas vetës ka edhe Nismën për Kosovën, do të ketë prioritet preokupimet e qytetarëve.
Rëndësi të veçantë për këto dy parti opozitare, sipas sekretarit organizativ, Valon Tolaj, do të ketë sundimi i ligjit.
Por derisa këto parti, tashmë thonë se i dinë prioritetet e fushatës, ende nuk dihet se cila do të jetë oferta e LDK-së, Duket se zgjedhjet me në befasi e kanë zënë këtë subjekt politik. Zëdhënësi i saj, Arban Abrashi, ka thënë se është herët të flitet për një ofertë, pasi ajo do të dihet, pas diskutimeve që mbetet t'i zhvillojnë organet kryesore të partisë.
Kronikë e Kosovë Gjocit.