06.09.2019 · përditësuar para 2521 dite1 min lexim
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se djelmoshat kosovarë duhet ta luajnë një lojë të çmendur për ta mposhtur Çekinë.
Ai kështu ka thënë gjatë një konference për media, duke shtuar se dardanët do ta kenë një përparësi në këtë ndeshje – mbështetjen e 13 mijë tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, njofton Klan kosova.
“Në fillim të javës kam thënë se nuk dëshiroj të flas shumë për mungesën e lojtarëve. Unë kam thënë gjithashtu se nuk kam një klon që t'i zëvendësoj futbollistët si Rashica dhe Zeneli”.
“Nuk kam ndonjë zgjidhje individuale, por ne duhet të gjejmë zgjidhje kolektive. Si skuadër, ne duhet të punojmë shumë më shumë”.
“Shpresoj që skuadra është e gatshme për ndeshjen me Çekinë. Kam folur mjaftë për mentalitetin dhe psikologjinë dhe mendoj se mentaliteti është shumë i rëndësishëm. Duhet të tregojmë pasion, ne jemi këtu në Prishtinë para 13 mijë fansave dhe duhet t’u dhurojmë atyre spektakël”.
“Ne kemi një ëndërr dhe vetëm nëse e bëjmë një lojë të mirë, mund ta arrijmë atë. Republika Çeke i ka gjashtë pikë dhe ne pesë pikë; prandaj mund të ëndërrojmë”.
“Kur unë flas për lojën e çmendur, nuk mendoj për individë. Në një lojë të çmendur nuk vlen taktika, por është vullneti - unë duhet ta fitoj këtë lojë. Nevojitet një mentalitet që në çdo moment lojtari është në pritje për ta marrë topin dhe për të shënuar”.
“Është shumë e rëndësishme që të fitojmë ndaj Çekisë për ta mbajtur ëndrrën gjallë. Dua të theksoj se nuk është presion i keq për ne dhe nuk është fundi i botës nëse e humbin një lojë. Mirëpo në fund të fundit, ne duhet ta dimë se kemi dhënë gjithçka në fushë”.
Ndeshja midis Kosovës dhe Çekisë pritet të zhvillohet nesër në stadiumin ”Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 15:00.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
H
SHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.