Lajmet e fundit

Ani se Kosova nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, qytetarët e saj për vite me radhë e festojnë 9 Majin- Ditën e Evropës. Bile në nder të saj edhe pushojnë.
E për të kremtuar, por edhe për të punuar në këtë festë zyrtare është bërë thirrje qysh nga viti 2012.
Ishte ish- ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, që pati deklaruar se Dita e Evropës duhet të largohet nga kalendari i Festave Zyrtare të Kosovës.
"Nga viti i ardhshëm Dita e Evropës nuk do të jetë ditë pushimi, gjithmonë do të jetë festë që do të shënohet, por ne në Evropë nuk mund të shkojmë duke pushuar dhe festuar, por duke punuar", ka thënë Çitaku para mediave në vitin 2012.
Ndonëse, shkoi një vit, premtimi i ish-ministres nuk u përmbush.
"Ligji është në procedura në qeveri edhe besoj se shumë shpejt do të kalojë në parlament. Unë e kam thënë edhe në vitin e kaluar e them edhe tani nuk do të mund të shkojmë në BE duke pushuar", deklaroi Çitaku në vitin 2013.
Thirrjes së saj Çitaku i qëndroi besnike edhe në vitin 2014, ku e bëri këtë thirrje "të festohet, por jo me ditë pushimi".
Përkundër këtyre kërkesave të vazhdueshme për largimin e kësaj dite nga kalendari i festave zyrtare, ishte ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, e cila më 9 maj të viti 2017, kishte thënë se në këtë ditë duhet të pushohet dhe festohet.
Kundër, një kërkese të tillë, e pro atyre të Çitakut para sa viteve, doli edhe ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxhaj.
"Nuk ish dashtë të ketë kaq shumë festa, ne duhet të punojmë më shumë dhe jo të pushojmë. Mendoj se ka ardhur koha ta modifikojmë kalendarin e festave zyrtare", kishte thënë Hoxhaj për Klan Kosovën në vitin 2019.
Përkundër të gjitha këtyre, as tani në vitin 2022, Dita e Evropës nuk është larguar nga kalendari i festave zyrtare, dhe qytetarët e vendit akoma pushojnë në këtë ditë.
Bashkëngjitur gjeni videot nga manifestimet e zotimet e bëra nëpër vite në këtë datë: