Lajmet e fundit

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se e kishte informuar kryetarin e LDK-së Isa Mustafën për ofertat nga partitë tjera, dhe ka thënë se Mustafa as nuk i kishte thënë të shkojë e as të mos shkojë me koalicionin PAN, pasi që beson se ai e di se nuk është punë e tij, njofton Klan Kosova.
“Unë sot zotëri Isa Mustafës i kam thënë që nga sot nuk do të jemi bashkë”, tha Pacolli në Ballë për Ballë të Klan Kosovës.
“AKR do të shkojë rrugës së vet, e kam informuar kryetarin e LDK-së që AKR do të tentojë të formojë një grup parlamentar, jemi parti liberale, kemi programin dhe synimet tona, do të punojmë sipas asaj që përshkruan programi dhe statuti i AKR-së”.
Pacolli e arsyetoi këtë veprim duke thënë se Kosova filloi ta humbë imazhin dhe besimin te ndërkombëtarët, dhe se filloi të humbë shumë para duke shtuar se konsekuencat do të ishin edhe më drastike.
Sipas Pacollit, askush nuk doli ta vë interesin e Kosovës para interesit partiak.
Sa i përket ofertave që AKR kishte marrë gjatë kohës sa ishte në koalicionin LAA, Pacolli ka thënë ta ketë informuar Isa Mustafën në detaje se ka oferta, dhe tha se ofertat nga partitë e koalicionit PAN kanë qenë të përdtishme.
Ndërsa, lidhur me qëndrimin e Isa Mustafës, Pacolli tha se Mustafa nuk iu kishte thënë as të shkojnë e as të mos shkojnë me PAN sepse Pacolli pohoi që Mustafa e kupton se kjo nuk është punë e tij.
“Por i kam thënë se nga sot ne jemi dy grupe parlamentare dhe grupi ynë parlamentar ka synimet dhe programin e vet për ta implementuar dhe do ta bëjë këtë”.
Pacolli argumentoi se AKR nuk mund të shkonte me katër vetë në opozitë sepse do të ishte humbje e madhe për ta, ndërsa beson se me forcën që tani e posedojnë mund të kontribuojnë shumë në qeveri.
Për më tepër, ai sërish u kthye tek takimet që i prin takimit të sotëm ku edhe u finalizua marrëveshja me PAN.
“Ka pasur takime intensive, jo nga unë por ka pasur me faktorë të tjerë të AKR-së”.
“Punë e madhe e pret Kosovën ndërkombëtarisht, tani fillon edhe seanca e asamblesë në Kombet e Bashkuara, dhe Kosova duhet të jetë e përfaqësuar në mënyrë dinjitoze atje”, tha Pacolli ku po ashtu përmendi kontratën me Millennium Challenge që duhet nënshkruar Kosova, dhe tha se duhet shumë punë për t’u bërë në rrafshin ndërkombëtar, duke shtuar se mendon të ketë takime të frytshme tani në New York.