Lajmet e fundit

Në orët e vona të së enjtes, pak para mesnate, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës është dëgjuar një shpërthim.
Fjala ishte për një eksplodim brenda ndërtesës, që është shkaktuar nga hedhja e një mjeti shpërthyes.
Nga ky shpërthim, policia nuk ka raportuar për të lënduar përveç dëmeve materiale që janë shkaktuar në ndërtesë.
Sipas policisë, Kuvendi është sulmuar me predha anti-tank dhe më pas forcat policore të shoqëruara nga ato të KFOR-it kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
‘’Rreth orës 23:00, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, në rrugën ‘’Agim Ramadani’’ në Prishtinë, nga distanca ka ndodhur një sulm me një mjet të dyshuar shpërthyes. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për të lënduar në njerëz”, deklaroi policia.
Sulmi me predhë ka goditur katin e dytë të ndërtesës së kuvendit.
Më pas në lagjen “Taukbahçe” të Prishtinës, policia ka gjetur një motoçikletë të djegur me të cilën besohet se të dyshuarit e kanë kryer sulmin me predhë në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Policia më pas e ka mbajtur nën kontroll vendin e ngjarjes dhe ka pasur shumë reagime nga akterë politik të vendit.