Lajmet e fundit

Kryeparlametari i Shqipërisë, Ilir Meta sot qëndroi në Prishtinë.
Meta duket se këtë qëndrim në Kosovë e shfrytëzoi edhe për një vizitë në familjen e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, edhe pse ajo nuk ka ndonjë lidhje me bllokadën institucionale.
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë është pritur nga familjarët e ish presidentit të ndjerë Rugova përfshirë bashkëshorten e tij, dy djemtë dhe vajza, Teuta, njofton Klan Kosova.
Gjatë largimit nga rezidenca e familjes Rugova, Meta në një prononcim për Klan Kosovën është shprehur se arsyeja e kësaj vizite është e kuptueshme.
“Figura e presidentit Rugova mbetet përherë e gjallë dhe frymëzuese për një Kosovë demokratike dhe paqësore. Nderimi ndaj kësaj figure është një pikë bashkimi për të gjithë shqiptarët kudo ku janë” tha Meta.
Ai shtoi se ishte kënaqësi të kujtohet figura e tij me familjarët e tij ku edhe ka shprehur mirënjohjen për gjithë çfarë ka bërë Rugova për shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë.
Ilir Meta u përfol se ka ardhur në Kosovë në rolin e “ndërmjetësit” për krizën politike aktuale në vend ndonëse ai vetë e mohoi këtë.
Meta tha se ndonëse nuk ka ardhur në këtë rol, sipas tij rrugët e dialogut mbetën të hapura dhe të pashteruara dhe ka dëshirë e vullnet për të ecur drejt kapërcimit të këtij momenti delikat, të funksionimit të institucioneve.