Lajmet e fundit

Një mekanizëm i përbashkët do të ngrihet për të zgjidhur gradualisht çështjet e mbetura pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kështu u shpreh në përfundim të takimit me homologun grek, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.
Bushati tha se në takimin me kreun e diplomacisë greke, Nikos Kocias, është diskutuar dhe është rënë dakord për ngritjen e një mekanizmi, i cili do të mblidhet në mënyrë periodike, me synim zgjidhjen e çështjeve që kanë mbetur të pazgjidhura mes dy vendeve.
“Është hera e disatë që ne takohemi. Kemi rreth një vit që po punojmë për të adresuar disa prej çështjeve që nuk kanë gjetur ende trajtim si çështje që e kanë origjinën te Lufta e Dytë Botërore, por edhe ato që i konsiderojmë përcaktuese për të ardhmen evropiane.
Gjatë periudhës së fundit së bashku me mikun Nikos Kocias, ne kemi shkëmbyer ide dhe përpjekje për të shkuar drejt një platforme të përbashkët për të zgjidhur çështjet që janë ende në tryezë. Sot kemi rënë dakord për një mekanizëm të përbashkët për mënyrën sesi do t’i adresojmë këto çështje. Ky mekanizëm do të mblidhet në mënyrë periodike. Nuk ka diskutim që nuk mjafton vetëm listimi i çështjeve. Ato dihen, i kemi bërë publike, por gjithë energjitë tona janë fokusuar te mënyra se si do të zgjidhen. Kur krahasoj propozimet e Kocias me ato që kam paraqitur, shoh disa pika të përbashkëta dhe vullnet të përbashkët të dy vendeve”, tha Bushati.
Kreu i diplomacisë shqiptare tha se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe takimet zyrtare në funksion të avancimit të tyre do të jenë intensive.
“Ne ramë dakord edhe për një hartë rruge të qartë, të dakordësohet në nivele të ndryshme. E vlerësoj interesin e medias për takime të nivelit të tillë. Vlerësoj punën e ekipeve respektive. Nuk ka qenë e lehtë sepse marrëdhënia jonë është komplekse, por me potencial të lartë. Takime të tilla ne do t’i kemi edhe më intensive deri në gjetjen e zgjidhjeve, pasi jemi fqinjë dhe nuk kemi asnjë alternativë tjetër”.
Kocias: Nuk jemi në luftë, ligji është teknikalitet
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, është pyetur në lidhje me ligjin e luftës me Greqinë dhe çështjen çame. Kocias tha se mes dy vendeve nuk ka luftë. Sipas tij, nëse pala shqiptare, ka dyshime për këtë, mund të ngrihet një grup i përbashkët, i cili do të japë një përgjigje përfundimtare.
“Greqia beson se me deklaratën e kryeministrit në vitin 1987, ne nuk jemi në luftë. Marrëveshja në vitin 1996 është e vërtetë. Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe perspektiva në BE na bën miq dhe partnerë. Nëse ekzistojnë dyshime nëse jemi apo jo në gjendje lufte, do të kemi një angazhim të përbashkët dhe do të kemi rezultate të kënaqshme”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me çështjen çame, Kocias tha se ka një ndryshim në mënyrën se si perceptohet ajo nga dy vendet.
“Kemi një grup çamësh që jetojnë në Shqipëri. Unë uroj që ky grup të kenë përfitimet nga integrimi i Shqipërisë në BE. Janë disa çamë të vjetër kristianë të mylimanizuar të 1911-s, të cilët janë grekë. Ekzistojnë disa çamë që bashkëpunuan me pushtuesin gjerman, të cilët u dënuan nga gjykatat greke në bazë të ligjeve dhe në ndryshim nga njerëz të tjerë që jepnin llogari në Europë, u larguan nga vendi dhe nuk u ekzekutuan. Kur flasim për këta çamë, nuk nënkuptojmë shqiptarë dhe nuk nënkuptojmë Shqipërinë. E them këtë sepse disa duan t’i bëjnë të njëjtë shqiptarët dhe ata që kanë bashkëpunuar me nazizmin. Në këtë prizëm, ne themi se për ne ekziston problemi me mënyrën se si e percepton vendi fqinj. Ne kemi një qasje të ndryshme dhe këto janë të njohura nga pikëpamja e historisë”, tha ai.
Bushati: Nuk kemi pretendime territoriale, por vendosje e një drejtësie të munguar
Duke mbetur te çështja çame, ministri i Jashtëm shqiptar tha se vendi ynë nuk ka pretendime territoriale, por pret vendosjen e drejtësisë së munguar.
“Çështja çame është pjesë e kapitullit që e ka origjinën në Luftën e Dytë Botërore. Jemi vende fqinje dhe është normale të kemi lexime të ndryshme, besojmë se një trajtim realist do të zbuste tonet nacionaliste dhe të vendoste drejtësinë e munguar. Nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale. Shqipëria nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial”, tha Bushati, raporton Shekulli, përcjellë Klan Kosova.