Lajmet e fundit
Organizata joqeveritare ‘Community Building Mitrovica’ (CBM), bashkë me ‘Bridge Film Fest’, kanë vazhduar përkrahjen e instalacionit artistik “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna Di Lellio, që i dedikohet grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shumë gra kanë dhuruar simbolikisht fustana të enjten në hapësirat e CBM-së, duke u bërë kështu pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit të organizuar nga Këshilli Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Afërdita Sylaj, drejtoreshë e CBM-së, ka bërë thirrje për solidaritet emocional, për të mobilizuar komunitetin që t’i bashkëngjitet kësaj fushate ndërgjegjësimi.
“Vërtetë më vjen jashtëzakonisht mirë që instalacioni “Mendoj për ty” është përqafuar menjëherë nga shumë gra mitrovicase, por edhe më gjerë. Gratë viktima të dhunës seksuale kanë nevojë për solidaritet dhe të kuptohen nga shoqëria”, ka thënë mes tjerash Sylaj.
Ajo bëri të ditur se të premten para ndërtesës së Komunës në Mitrovicë, do të organizohet pika e grumbullimit të fustaneve që do të përdoren në veprën artistike.
Megjithatë, Sylaj u ka bërë f tesë edhe burrave që të jenë pjesë e fushatës.
Pjesë e dhurimit të fustaneve për performancën artistike ishte edhe drejtoresha e Platformës ‘Civikos’, Valdete Idrizi, e cila potencoi se kjo është më së paku që mund të bëhet për këto gra.