Lajmet e fundit

Cameron Diaz është e lumtur në jetën e saj jashtë vëmendjes së Hollywoodit.
Aktorja 45 vjeçare dhe bashkëshorti i saj, rokeri Benji Madden janë shumë mirë bashkë, thotë një burim.
“Të dy po jetojnë të lumtur bashkë. Jeta e qetë që ajo po e jeton tani me Benji është jeta që ajo e ka dashur që sa kohë”, ka thënë ky burim.
Diaz që u martua me muzikantin 39 vjeçar në vitin 2015 nuk është paraqitur në ndonjë film qysh nga viti 2014 në një ripërpunim të filmit “Annie”.
Por duket se ajo nuk e ka lënë anash aktrimin dhe karrierën e saj.
Madje, shoqja e saj, Selma Blair ka thënë se aktorja nuk është tërhequr nga aktrimi.
“Cameron Diaz nuk është tërhequr apo pensionuar nga asgjë”, ka shkruar aktorja tjetër në Twitter, transmeton Klan Kosova.
Në vitet e fundit, Diaz është munduar që të balancojë karrierën e saj si aktore dhe punën e ambasadores të vullnetit të mirë.
Në vitin 2013, aktorja kishte publikuar edhe librin e saj bestseller “The Body Book”, pasuar nga “The Longevity Book” në vitin 2016, në të cilin ka treguar sekretet e plakjes dhe të qenit e bukur.
Aktorja ka mbushur 45 vjet gushtin e kaluar kur edhe ka pranuar një dedikim të veçantë nga bashkëshorti.
“Urime ditëlindjen gruas sime të bukur. Ndihem sikur jam burri më me fat në botë”, ka thënë ai.