Lajmet e fundit

Federata e Futbollit e Kosovës e ka caktuar çmimin e biletave për ndeshjen e Superkupës, ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e cila do të zhvillohet të hënën, më 13 gusht, në orën 20:00, në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë.
Ato variojnë nga 2 euro në pjesën Veri – Jug, 3 euro në Lindje, 5 euro në Perëndim, 10 euro në Perëndim A1 dhe bileta më e shtrenjtë për këtë ndeshje është ajo VIP me çmim prej 50 euro.
Përpos saj, është tërhequr shorti për të përcaktuar skuadrën vendase për këtë ballafaqim e që sipas tij, Drita do të jetë vendase.
Kjo do të jetë ndeshja e parë e cila do të luhet në stadiumin tërësisht të rinovuar, prandaj edhe interesimi i dashamirëve të futbollit pritet të jetë i madh.