Lajmet e fundit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Buxhet e Financa, Safete Hadërgjonaj, ka treguar arsyen e mospjesëmarrjes së saj në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa që ishte paraparë të mbahej të hënën dhe për heqjen e pikës së rendit të ditës të shqyrtimit të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.
“Qëllimi i shtyrjes së pikës për buxhetin ka pasur për synim të punohet edhe pak në Projektligjin për Buxhet, sepse ka hapësirë për të bërë përmirësime, pra që për disa çështje buxheti të jetë i harmonizuar dhe të jetë në interes të qytetarëve. Ne po insistojmë që përmes këtij buxheti të reflektohet pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien e qytetarëve”.
Deputetja Hadërgjonaj ka thënë se buxheti për vitin 2017 nuk është i analizuar mirë dhe, sipas saj, duhet edhe një diskutim ndërmjet partnerëve të koalicionit.
“Ka nevojë të bëhen përmirësime në disa sektorë. Në infrastrukturë, në Ministrinë e Kulturës, Shëndetësisë, pothuajse në të gjithë sektorët e ministrive. Është me rëndësi që këtu të bëhen përmirësimet e duhura, në mënyrë që buxheti të jetë i realizueshëm. Po ashtu, është shumë me rëndësi që buxheti të ndërtohet dhe të krijohet mbi analiza. Mendoj se në hartimin e këtij buxheti nuk janë bërë analizat e duhura”.