Lajmet e fundit

Buxheti për vitin 2016 parashihet të jetë 1 miliard e 680 milionë euro. Nga kjo vlerë, 463 milionë euro të buxhetit janë paraparë të investohen në projekte kapitale apo pesë milionë më tepër sesa shpenzimet kapitale të dedikuara për vit.
Projektligji për buxhet është miratuar javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës, por ajo që vërehet është se shumica e mjeteve do të shpenzohen për projektet e filluara gjatë këtij viti. Kjo, sipas ekspertëve për çështje ekonomike është praktikë pasi jo të gjitha projektet e mëdha kapitale mund të përfundojnë brenda një periudhe njëvjeçare.
Megjithatë, sipas tyre, nevojat e Kosovës për projektet kapitale janë jashtëzakonisht të mëdha.
Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, për Radion Evropa e Lirë thotë se tendenca për të rritur shpenzimet kapitale, duhet të orientohet në tendencën për zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik. Sipas tij, sa më të fuqishme të jenë bizneset e brendshme në Kosovë, ato më shumë do të paguajnë taksa për shtetin.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, thotë se shumica e investimeve kapitale për vitin 2016, janë vazhdimësi e projekteve kapitale që kanë filluar dy tre vjet më herët, në fusha të ndryshme.
Edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Naser Graiçevci, pohon për Radion Evropa e Lirë, se shuma e ndarë për projektet kapitale është në proporcion me shpenzimet tjera buxhetore.
Por, nga përvojat e deritashme rezulton se projektet kapitale nuk janë duke dhënë rezultatet e pritura, paraprakisht të përcaktuara nga dizajnuesit e këtyre projekteve .
Përveç kësaj, Graiçevci thotë se gjatë zbatimit të projekteve vërehen lëshime të mëdha, si në burimin e aferave të ndryshme korruptive. Dhe, në këtë mënyrë bizneset janë jashtëzakonisht, siç thotë ai, të frustruara më mënyrën e menaxhimit të kësaj pjesë të parasë publike”
Edhe Naim Gashi, thekson se pavarësisht vlerës së ndarë për projektet kapitale, Qeveria e Kosovës duhet të shprehet transparente në shpenzimin e tyre. Kjo pasi fusha e prokurimit publik në Kosovë, thotë ai,konsiderohej terreni më i përshtatshëm i keqpërdorimit të parasë publike
Megjithatë, në draft-buxhetin për vitin tjetër, mjete janë ndarë për ndërtimin, renovimin e objekteve qeveritare, shkollave, fakulteteve, ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugëve në nivel qendror dhe komunal, si dhe ndërtimin e palestrave sportive në qytete të ndryshme.
Shkrimi i plotë në Radio Europa e Lirë.