Lajmet e fundit

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Bruksel zhvilloi takime me përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe me komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Ministria e Jashtme ka bërë të ditur se në takimin që pati me Mogherinin, Bushati e njohu mbi ecurinë e reformave shtetndërtuese në Shqipëri dhe me punën e qeverisë për adresimin e 5 prioriteteve kyçe.
“Angazhimi i qeverisë shqiptare për përmbylljen e reformës në drejtësi, si dhe efekti i drejtpërdrejtë i saj jo vetëm në fushat që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, por edhe në reformat që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit dhe sundimit të së drejtës në ekonomi, ishin në fokus të këtij takimi”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Federica Mogherini ka shprehur mbështetjen për përpjekjet shtetndërtuese në Shqipëri dhe evidentoi kontributin që kanë këto reforma për një proces dinamik dhe efikas në rrugëtimin evropian të vendit dhe vlerësoi angazhimin për të vijuar me vendosmëri përmbylljen e reformës në drejtësi.
Gjithashtu, ajo vlerësoi rolin proaktiv dhe konstruktivitetin e Shqipërisë në rajon si dhe linjëzimin e plotë të politikës sonë të jashtme me atë të Bashkimit Europian.
Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, ministri Bushati u shpreh se, “përpjekjet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nxjerrin në pah nevojën për mbështetjen financiare dhe angazhimin e BE-së për konsolidimin e një zhvillimi të qëndrueshëm si dhe për të përmbushur angazhimet në kuadër të Procesit të Berlinit”.
Ndërsa për sa i përket takimit me Johannes Hahn, ministri i Jashtëm ka evidentuar rëndësinë që ka politika e zgjerimit të BE-së për ecurinë e reformave, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit si një projekt gjeostrategjik dhe politik.
Bushati ka theksuar se politika e zgjerimit e Bashkimit Europian është një instrument që nxit modernizimin, demokratizimin dhe stabilitetin e vendeve të rajonit.
Pasi e njohu komisionerin Hahn me ecurinë e reformave të ndërmarra në Shqipëri, kryesisht në sundimin e së drejtës, Bushati theksoi gatishmërinë e vendit për të kaluar në një fazë të re, atë të hapjes së negociatave për anëtarësim.
Ndërsa Hahn ka vlerësuar rolin stabilizues dhe dinamik të Shqipërisë në rajon. Ai gjithashtu shprehu besimin se angazhimet në kuadër të Procesit të Berlinit do të mundësojnë një lidhje më të mirë për vendet e Ballkanit.
Ministria e Jashtme bën të ditur se në kuadër të agjendës integruese, komisioneri Hahn do të vizitojë Tiranën në fund të muajit mars për takimin e radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE.
Gjithashtu, ai do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të organizohet në Tiranë me iniciativën e vendit tonë./Shekuli.al