Lajmet e fundit

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, priti në një takim ambasadoren Audrey Glover, në cilësinë e saj si kreu i Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri. Glover i dorëzoi ministrit Bushati raportin përfundimtar mbi vëzhgimin e zgjedhjeve.
Gjatë takimit, palët diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit përfundimtar, vlerësuan arritjet e shënuara, si dhe theksuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në funksion të përmirësimit dhe forcimit të demokracisë në vend.
Ministri Bushati e vlerësoi raportin si të balancuar, që fotografon arritjet dhe identifikon sfidat që mbeten për t’u adresuar nga aktorët politikë dhe institucionet e administratës zgjedhore. Në emër të qeverisë shqiptare, ai shprehu angazhimin për të adresuar rekomandimet, me synim konsolidimin e procesit zgjedhor në Shqipëri mbështetur në praktikat më të mira dhe angazhimet e OSBE/ODIHR-it.
Ambasadorja Glover vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për mbarëvajtjen e gjithë misionit vëzhgues nën drejtimin e saj, si dhe shprehu angazhimin e ODIHR-it për të vijuar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë. /Shekulli Online