Lajmet e fundit

Ajo çfarë ndodhi në vendkalimin kufitar Vrska Cuka, mes Serbisë e Bullgarisë, ngjan në një skenë filmi.
Pa pritur e pa kujtuar autoritetet doganore këtu një - xhenaze.
Ajo u gjet në sediljen e pasme të një makine luksoze, njofton Blic, transmeton Klan Kosova.
Në fakt, një shtetas bullgar po përpiqej ta kontrabandonte trupin e nënës së tij të vdekur.
Ajo ishte veshur në rroba civile, me ngjyrë të zezë, dhe ishte vendosur në ulëset e pasme.
Doganierët e kuptuan se ajo po kontrabandohej kur i folën, duke menduar se është e gjallë.
Reagimi i vetëm i djalit të saj ishte goditja e ballit me dorë, për shkak të dështimit të planit.
Dëshmitarët thanë se besohet që bullgari e kishte kontrabanduar nënën e tij, nga Austria, derisa po tentonte ta dërgonte atë për varrim në Vidin, një qytet 40 kilometra larg kufirit me Serbinë.
Autoritetet thanë se rasti u pa si i dyshimtë kur ngasësi i makinës insistonte që ta kalonte sa më shpejt kufirin, me ç'rast e zhvendosi vëmendjen te vetja. Ai ishte i djersitur, kryqëzonte duart dhe kërkonte t'i përshpejtohet kontrollimi i pasaportave.
Në fillim u mendua se mund të ketë fshehur narkotikë, por të gjithë mbetën pa mend kur u kuptua se zori i tij ishte nëna e vdekur, të cilën po përpiqej ta kontrabandonte në vendlindje, transmeton Klan Kosova.
E moshuara besohet se ndërroi jetë rrugës, diku në rrethinën e Zajeçarit, qytet në Serbi që ndodhet 12 kilometra para pikëkalimit kufitar.