Lajmet e fundit

Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës ka bërë me dije se do t`i bashkohet protestës së nesërme të opozitës, për ta kundërshtuar “Zajednicën” dhe faljen e mbi 8.000 hektarë tokë Malit të Zi, dhe kundër kësaj Qeverie.
"Bujqit e Kosovës më së shumti kanë arsye për të protestuar. Sepse, Qeveria e Isa Mustafës e Hashim Thaçit, e ka lënë bujqësinë në gjendje të mjerueshme"
"Një pjesë e madhe e buxhetit që ndahet për bujqësi, është vjedhur, një pjesë tjetër ka shkuar në investime të gabuara, e pjesa e mbetur po u shkon vetëm militantëve partiakë" thonë në Federatën Sindikale të Bujqve të Kosovës .
Sipas kësaj sindikate, prodhimet e bujqve, nuk po kanë treg për shitje. Prodhimtaria bujqësore e Kosovës po ngulfatet nga konkurrenca jolojale, nga importi, dhe për këtë arsye janë mbyllur qindra ferma prodhuese të qumështit në Kosovë.
"Bujqësia e Kosovës po shkatërrohet nga uzurpimi i tokave bujqësore me ndërtime pa leje. Janë braktisur qindra mijëra hektarë tokë në pjesët kondrinore-malore. Sistemet e ujitjes Ibër-Lepenc dhe Radoniq gati tërësisht janë shkatërruar." thuhet në kumtesë.
Poashtu bujqit thonë se iu mungon përkujdesja e shtetit me trajnime e këshillime. Këto dhe shumë probleme tjera, sipas tyre janë arsye të mjaftueshme që të dalin nesër në protestë në Prishtinë, transmeton Klan Kosova.