Lajmet e fundit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shukri Buja, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë është dashur të ndërmerret qyshkur.
Ai ka deklaruar se atë do të kishte qenë mirë sikur ta kishte nisur vet Partia Demokratike e Kosovës, pasi qeveria nuk ka kryer punën e saj në pothuaj asnjë nivel, njofton Klan Kosova.
"Mocioni është cështje rregullative. Deputetët kanë të drejtë që ta shtrojnë atë. Arsyet për ta bërë këtë mocion kanë qenë qyshkur. Ai është dashur të ngritet nga partia që përfaqësoj. Dihet se ky koalicion është lidhur për një varg arsyesh dhe ka një numër të madh votash, për të kaluar cështje të rëndësishme, që nuk ka ndodhur".
Buja më tutje është shprehur se do t'i japë mbështetje këtij mocioni, nëse është serioz, duke shtuar se është mirë që procesi zgjedhor të kryhet tash, kur edhe regjioni është në të njëjtën gjendje.
"Unë nuk e kam nënshkruar këtë mocion, por do ta shikoj dhe nëse ka arsyetim të mirë atëherë do ta mbështes. Nëse është serioz dhe do ta rrëzojë qeverinë".
"Arsyetimi për mosmbajtje të zgjedhjeve me proceset zgjedhore në regjion nuk qëndron. Sepse më mirë është që të kryhet ky proces në të njëjtën kohë. Në Serbi, për shembull, është ndërruar edhe formati i bisedimeve, ndërsa ne në Kosovë kemi mbetur ashtu sic kemi qenë". /klankosova.tv